Ministria e Ekonomisë reagon për muralin e Nënë Terezës: Komuna ndërhyri pa autorizim në objektin tonë, e njoftuam Policinë e Kosovës
Ministria e Ekonomisë ka reaguar lidhur me polemikën për vendosjen e muralit kushtuar Nënë Terezës në murin e jashtëm të objektit të saj në Prishtinë, duke akuzuar Komunën e Prishtinës për ndërhyrje të paautorizuara në pronën e ministrisë.
Në reagimin e saj, Ministria ka pretenduar se Komuna ka lejuar realizimin e projektit pa pasur kompetencë për një gjë të tillë, pasi objekti nuk është në pronësi dhe as nën menaxhimin e saj, transmeton lajmi.net.
Sipas Ministrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më 28 shtator 2026 kishte lëshuar pëlqim për realizimin e muralit, por ky dokument, siç pretendohet në reagim, është i kundërligjshëm dhe nuk mban nënshkrimin e drejtorit të drejtorisë përkatëse.
Po ashtu, Ministria ka thënë se për projektin nuk ishte konsultuar dhe as njoftuar paraprakisht nga Komuna apo institucionet e tjera përgjegjëse.
Duke paraqitur kronologjinë e ngjarjeve, Ministria ka bërë të ditur se më 20 nëntor, rreth orës 09:17, përfaqësues të Komunës, përmes një kompanie private, kishin ndërhyrë në objekt dhe kishin larguar banerin informues të institucionit.
Ajo ka pretenduar se gjatë kësaj ndërhyrjeje nuk ishin vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, ndërsa janë shkaktuar edhe dëme materiale në pronën e Ministrisë.
Sipas reagimit, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësues të Komunës janë paraqitur sërish më 27 nëntor, rreth orës 06:00, me makineri ngritëse për të vazhduar vendosjen e muralit.
Për këtë situatë, Ministria ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar punimet.

Lexo edheME-ja i reagon Ramës, për muralin e Nënë Terezës: Nuk u konsultuat, vinçi juaj rrezikoi jetën e qytetarëve dhe shkaktuat dëme
Megjithatë, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk është kundër realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por kundërshtimi i saj lidhet me procedurat e ndjekura nga Komuna e Prishtinës.
“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Në fund, Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje mediave që raportimin për këtë çështje ta mbështesin në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur keqinterpretimet./lajmi.net/


