MMPH bllokon projektin për lagjen Ulpiana, Pacolli: Projekti i Ramës për ta betonizuar njërën nga lagjet më ikonike të Prishtinës, nuk kalon
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka refuzuar projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, të propozuar nga Komuna e Prishtinës, pas vlerësimit të ligjshmërisë së tij.
Vendimi është bërë publik nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se refuzimi është zyrtarizuar të premten, pas kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për shqyrtimin e ligjshmërisë së projektit, transmeton lajmi.net.
Sipas Pacollit, projekti nuk është hartuar dhe miratuar në përputhje me bazën ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor që janë në fuqi në Komunën e Prishtinës.
Ajo ka renditur disa nga arsyet që kanë çuar në refuzimin e projektit, duke theksuar se vendimi i Komunës nuk mbështetet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor dhe as në dokumentet përkatëse të planifikimit në nivel lokal.
Një nga problemet e evidentuara, sipas ministres, është përcaktimi i destinimit të parcelës pa u dëshmuar se ai është në përputhje me shfrytëzimin e lejuar nga dokumentet në fuqi.
Pacolli ka theksuar gjithashtu se parametrat urbanë janë përcaktuar përmes një vendimi të veçantë për caktimin e lokacionit, ndonëse, sipas saj, këto parametra duhet të përcaktohen vetëm përmes dokumenteve përkatëse të planifikimit hapësinor.
Lexo edheAksident mes autobusit dhe kamionit në Klinë, 10 persona kërkojnë trajtim mjekësor
Ajo ka bërë të ditur se edhe kushtet zhvillimore, ndërtimore dhe të lokacionit duhet të jenë në përputhje me dokumentet ekzistuese të planifikimit dhe nuk mund të përcaktohen përmes vendimeve të veçanta.
“Vendimi nuk mund të lejojë destinim apo shfrytëzim tjetër të parcelës nga ai që është përcaktuar në dokumentet tekstuale dhe grafike në fuqi të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Pacolli.
Sipas ministres, këto mospërputhje ligjore dhe procedurale kanë qenë arsyeja për refuzimin e projektit “Ulpiana 2030 Legacy”./lajmi.net/



