ME-ja i reagon Ramës, për muralin e Nënë Terezës: Nuk u konsultuat, vinçi juaj rrezikoi jetën e qytetarëve dhe shkaktuat dëme

Ministria e Ekonomisë ka reaguar ndaj deklaratave të Përparim Ramës dhe zyrtarëve të tjerë komunalë nga Prishtina, që pretendonin se kjo ministri nuk lejoi punimin e muralit të Nënë Terezës, në murin e objektit të saj.
Sipas Ministrisë, vendimi dhe arritja e vinçave të ky mur kanë ardhur pa u bërë konsultimi paraprak nga Komuna e Prishtinës që, sipas ME-së, nuk e ka as në menaxhim e as në pronësi objektin në fjalë, transmeton IndeksOnline.
“Më datë 20.11.2026, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, kanë ndërmarrë veprime përmes kontraktorit privat, pa vendosur masa mbrojtëse dhe duke cenuar seriozisht shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ka larguar kundërligjshëm banerin informues të Ministrisë, me ç’rast ka bërë ndërhyrje të kundërligjshme në pronë të huaj, ka shkaktuar dëme materiale dhe mbi të gjitha kanë cenuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Nga ky institucion qeveritar deklarojnë se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, teksa thonë se çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës.
Për zhvillimet në këtë situatë, është e njoftuar edhe Prokuroria.
Ky është deklarimi i plotë i Ministrisë:
Reagim ndaj dezinformatave të publikuara dhe ndërhyrjeve të kundërligjshme e të paautorizuara në objektin e Ministrisë së Ekonomisë
1. Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse.
2. Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale.
3. Prokuroria ka pezulluar punimet, përkundër kësaj Komuna ka tentuar të vazhdojë punimet sot, në orën 06:00 të mëngjesit, të cilat janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
4. Ministria kërkon respektimin e ligjshmërisë dhe të vendimit të Prokurorisë, jo ndalimin e realizimit të veprës artistike.
5. Ministria e Ekonomisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës.
Reagimi i plotë:
Lexo edheVetura me targa serbe kapet në kufi me 191 ujëmatës pa dokumentacion, vlera mbi 9 mijë euro
Ministria e Ekonomisë reagon ndaj informatave të pasakta të publikuara në disa media lidhur me ndërhyrjet e paautorizuara në murin e jashtëm të objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Andaj, konsideron të nevojshme të sqarojë opinionin publik lidhur me rrethanat dhe kronologjinë e ngjarjeve.
Komuna e Prishtinës ka subvencionuar një projekt dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më datë 28.09.2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e këtij projekti në objektin i cili nuk është në pronësi dhe nuk menaxhohet nga Komuna. Pëlqimi është i kundërligjshëm dhe i pa nënshkruar nga Drejtori i kësaj drejtorie. Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë.
Më datë 20.11.2026, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës, kanë ndërmarrë veprime përmes kontraktorit privat, pa vendosur masa mbrojtëse dhe duke cënuar seriozisht shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ka larguar kundërligjshëm banerin informues të Ministrisë, me ç’rast ka bërë ndërhyrje të kundëligjshme në pronë të huaj, ka shkaktuar dëme materiale dhe mbi të gjitha kanë cënuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, sot më 27.11.2026, në orën 06:00 të mëngjesit, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës kanë ardhur sërish me makineri ngritëse (vinç) pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të vazhdimit të punimeve.
Si rrjedhojë, Ministria e Ekonomisë ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila, pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, ka ndaluar punimet.
Ministria e Ekonomisë konsideron të papranueshme ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme dhe të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës, veçanërisht përkundër vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve.
Për të shmangur çdo keqinterpretim, Ministria e Ekonomisë sqaron se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës. Përkundrazi, Ministria vlerëson dhe respekton çdo iniciativë që kontribuon në promovimin e vlerave të përbashkëta.
Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente.
Ministria e Ekonomisë kërkon nga Komuna e Prishtinës respektimin e vendimit të Prokurorisë deri në përmbylljen e hetimeve dhe vendimit përfundimtar gjyqësor.
Njëkohësisht, Ministria e Ekonomisë u bën thirrje mediave që gjatë raportimit për këtë çështje të mbështeten në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur keqinterpretimet dhe dezinformimin e opinionit publik.
Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të ligjshmërisë, mbrojtjes së interesit publik dhe bashkëpunimit korrekt ndërinstitucional.


