Vdekja e hershme e 15 vjeçares, Qendrsa Syla në aksidentin rrugorë, si dhe lëndimi i motrës së saj, ka prekur të gjithë.
Përmes një përkujtimi, shkolla ku vijonte mësimet ka shkruar disa rreshta mjaftë prekëse, duke ngritur lartë personalitetin e saj që në këtë moshë të hershme rinore, shkruan Drenica Press.
Ja sesi e përkujtohet e ndjera nga shokët dhe shoqet e saj
Përkujtim
Të pikëlluar familje Syla, farëfis e miq të familjes, nxënës e mësimdhënës! Sot si asnjëherë, jemi të pikëlluar dhe plot dhimbje në shpirt. Sot po ndahemi fizikisht nga bija juaj, nxënësja dhe shoqja jonë, Qëndresa.
Sot qielli është i zymtë dhe të zymta janë edhe fytyrat tona. Zemrat na janë coptuar e shpirti na është lënduar nga kjo ndarje. Sot, Qëndresa, ti po ndahesh nga ne, por zymtësinë fytyrave tona do t’ua largojë kujtimi i perjetshëm për ty. Kjo ndarje është e rëndë dhe e dhimbshme për ne. Ti u nise në rrugëtimin në të cilin do nisemi secili prej nesh, se kështu don Zoti i Madhërishëm.
Qëndresës fatalisht, iu ndërprenë ëndrrat që nuk i kishte të pakëta, iu ndal hovi për nxënien e dijës, iu mor e drejta për të shijuar lumturinë dhe kënaqësitë e kësaj bote, e botës së saj të vajzërisë. Qëndresa erdhi bashkë me Agnesën për një ditë në këtë botë, por ajo sot po kthehet e vetme në përjetësi. Agnesa do të na kujtojë atë në dukje e në sjellje, në punë e në vepra.
Qëndresa e donte jetën dhe e tillë ishte, plot jetë. Është kohë e shkurtër që kur të njohëm , por ishe aq e afërt, aq e dashur, aq e shoqëruar dhe aq e formuar për moshën tënde, saqë na duket se te kemi njohur prej vitesh.
Do të kujtojmë për sjelljen shembullore, për ndrojtjen tënde që tregonte pjekurinë e hershme, do të kujtojmë për çiltërsinë dhe pastërtinë e shpirtit. Do të kujtojmë për edukatën me të cilën i bëje krenarë prindërit dhe gjithë neve të cilët të rrinim përreth. Do na mungosh shumë. Karrigën në klasë na e le bosh dhe ashtu bosh do ta lëmë edhe vendin në bankën tënde, e sipër saj do vendosim një lule kujtim për ty, ashtu siç ishe edhe vet, porsi një lule e njomë, plot jetë e aromë.
Qëndresë! Ne do të të kujtojmë përherë sa te jetë jeta dhe kjo ndarje nga ti do të mbetet vrragë e thellë në zemrat tona, por kujtimi për ty do të jetë melhem për të.
Njeriu nuk e don vdekjen, por shpirti e don përjetësinë! U prehsh në parajsë, Qëndresa! Kujtimi për ty do mbetet i përjetshëm për ne! I lehtë të qoftë dheu i kësaj toke!
Drejtoria e shkollës, nxënësit , mësimdhënësit, i gjithë stafi i SHMLM ,, Dr. Xhekadin Deda’’ dhe Këshilli i prindërve në emër të të gjithë prindërve, i shprehin ngushëllime shokëve të klasës së Qëndresës klasës X-1, familjes së ngushtë dhe të gjerë Syla, dhe gjithë miqve dhe të afërmëve të familjes së të ndjerës!
