Haziri: Vrasjet e pasluftës nuk duhet të përdoren për agjenda politike, drejtësia duhet të vendoset për të gjithë – Osmani e Abdixhiku duhet të flasin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për vrasjet e pasluftës në Kosovë, duke thënë se drejtësia për këto raste duhet të jetë kërkesë e vazhdueshme e shtetit dhe jo të përdoret për agjenda politike.
Në një intervistë në RTV Dukagjini, Haziri ka përmendur ish-ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, duke theksuar se përjetimi i saj personal pas vrasjes së bashkëshortit ishte një dëshmi e angazhimit të saj për drejtësi.
Ai ka shprehur bindjen se vrasjet nuk duhet të trajtohen mbi baza etnike, por si krime për të cilat duhet të ketë përgjegjësi.
“Unë jam prej atyre që besoj se vrasja nuk ka etni mbrapa. Vrasja është me porosi. Armik për mua është ai që vret pa faj, që bën vetëgjyqësi, pa të drejtë. Serbia sistematikisht ka vrarë shqiptarë”, ka deklaruar Haziri.
Gjatë intervistës, moderatori e ka pyetur Hazirin edhe për presidenten Vjosa Osmani, ndërsa ai ka reaguar duke thënë se duhet të bisedohet drejtpërdrejt me të dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për këtë çështje.
“Unë flas për Nekibe Kelmendin, ti më pyet për Vjosa Osmanin. Vjosa Osmani jeton në Prishtinë, thirre fol me të, unë mund t’ju ndihmoj me thirr. Ajo dhe Lumir Abdixhiku kanë obligim me fol”, ka thënë ai.
Haziri ka theksuar se Nekibe Kelmendi e kishte kthyer kërkimin e drejtësisë në mision të jetës, duke shtuar se edhe sot drejtësia për vrasjet e pasluftës mbetet e parealizuar.

Lexo edheHaradinaj: Jakup Krasniqi nuk është për gjynah, por pushtetet që lejuan EULEX-in ta poshtërojë popullin
Ai ka kundërshtuar përdorimin politik të kësaj teme, duke nënvizuar se kërkesa për zbardhjen e vrasjeve dhe vendosjen e drejtësisë duhet të jetë qëndrim i përbashkët i institucioneve dhe shoqërisë.
“Nuk është vendosur drejtësi. Përderisa nuk vendoset drejtësi, ne kemi me vazhdu me insistu me kërku, por jam kundër çdo lloj konsumimi politik. Asnjë agjendë politike nuk e justifikon atë që ndodh në politikë, sepse drejtësia për të gjithë është kërkesë konsistente e jona, edhe imja, edhe e LDK-së, duhet me qenë e shtetit”, ka deklaruar Haziri.
Në fund, ai ka bërë thirrje që të mos humbet besimi në drejtësi, duke shprehur shpresën se përgjegjësia për këto raste do të vendoset, pavarësisht kohës që mund të marrë procesi.
“Drejtësia duhet me u vendosë, nuk duhet me humbë besimin në drejtësi. Nuk po du me qenë prej atyne që thonë se drejtësia vonon, është drejtësia e mohuar. Po du me besu që drejtësia, përfundimisht, do të ketë herët a vonë”, ka përfunduar Haziri. /Lajmi.net/




