Lajmërohet nga arratia biznesmeni llapjan, dyshohet se e goditi doganierin me veturë

Një incident i raportuar më 24 nëntor 2026 në Podujevë, ku dyshohet se është sulmuar një zyrtar doganor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ka marrë një tjetër dimension pas deklarimit per Raporto24 nga Florim Blakut, i njohur në Podujevë si Lila.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar më 24.11.2026, në orën 13:27, në Podujevë, me cilësimin penal “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Në raportin policor thuhet se ekipi i Doganës së Kosovës, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kishte ndaluar një automjet për kontrollimin e mundësisë së transportimit të mallrave kontrabandë. Sipas policisë, i dyshuari, me automjetin e tij, gjatë largimit e kishte goditur në dorë një zyrtar doganor dhe më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.
Pas raportimeve në media se Florim Blaku mund të jetë personi i përfshirë në këtë rast, vetë Blaku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen në një deklaratë ekskluzive për Raporto24
Blaku ka deklaruar se personat që i ishin afruar automjetit nuk i janë prezantuar si zyrtarë të Policisë apo të Doganës dhe nuk i kanë treguar ndonjë dokument identifikimi apo shenjë zyrtare.
Sipas tij, personat ishin të veshur me të zeza dhe i kishin trokitur në xhamin e veturës. Ai thotë se, duke mos i njohur dhe duke pasur parasysh se disa muaj më parë kishte qenë viktimë e një vjedhjeje, kishte menduar se mund të bëhej fjalë për persona të panjohur.
Lexo edheNisma e PDK’së e Kurtit për Ligj krejt të ri për Hagën, BE: Presim të konsultohemi për çfarëdo ndryshimi
“Personat që më trokitën në xham nuk më janë prezantuar se kush janë. Nuk më kanë treguar ID apo ndonjë shenjë të Policisë apo Doganës. Duke qenë se para disa muajsh kam pasur një rast me hajna, kam menduar se mund të jenë përsëri persona të panjohur dhe jam larguar”, ka deklaruar Blaku për Raporto24.com
Në një sqarim shtesë për Raporto24., Florim Blaku ka theksuar se incidenti i djeshëm ka ndodhur në parkingun ku kishte lënë veturën, në qendër të Podujevës, dhe jo në pikën kufitare në Merdarë apo në ndonjë pikë doganore.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se në të njëjtin parking, rreth dy muaj më parë, i ishin vjedhur mallra, rast të cilin, sipas tij, e kishte raportuar në polici.
“Ngjarja ka ndodhur dje në parkingun ku e kisha lënë veturën, në qendër të Podujevës, jo në Merdarë. Po ashtu, para rreth dy muajsh, në të njëjtin parking, më janë vjedhur mallra. Edhe atë rast e kam lajmëruar në polici”, ka deklaruar Florim Blaku
Blaku ka thënë se ndodhet jashtë vendit dhe se së shpejti do të paraqitet në Policinë e Kosovës.Deklarata e Blakut dhe raporti zyrtar i Policisë paraqesin dy këndvështrime të ndryshme për rrethanat e incidentit.


