SHBA dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për hapjen e ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve bërthamore, dhe mungon vetëm firma e presidentit amerikan, shkruan A2CNN.
Kështu thanë të enjten zyrtarë të administratës në SHBA, por pak orë më vonë zëvendëspresidenti JD Vance pohoi për gazetarët se ujdia nuk është finalizuar ende. Sipas tij, Teherani dhe Uashingtoni duhet ende të zgjidhin disa pika të vështira para se të arrihet marrëveshja. Vance tha se ishte ende herët për të thënë “kur ose nëse” të dyja palët do ta finalizonin atë.
JD Vance u shpreh: “Kemi shkatërruar tashmë fuqinë e tyre ushtarake konvencionale dhe jemi në një pozitë ku mund ta frenojmë ndjeshëm programin e tyre bërthamor, jo vetëm gjatë mandatit të këtij presidenti, por edhe në afatgjatë. Kjo është një gjë shumë e mirë për popullin amerikan. Pra, ende nuk kemi arritur aty, por jemi shumë afër. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë.”
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë për Fox News se çdo ujdi me Iranin do të varej nga arritja e një marrëveshjeje të mirë për SHBA. Ai shtoi se Uashingtoni ka të gjitha kartat në negociatat me Iranin, ndërsa paralajmëroi se aksioni ushtarak mbetet opsion nëse bisedimet dështojnë të prodhojnë një rezultat të favorshëm.
“Nuk do ta pranoja një marrëveshje që nuk do të ishte e mirë për ne, sepse po e analizoj situatën dhe do të shohim çfarë ndodh. Kjo është ajo që bëj unë, negocioj. Edhe ata negociojnë. Janë negociatorë shumë të aftë, dinakë. Por në fund ne i kemi të gjitha letrat në dorë, sepse i kemi mposhtur ushtarakisht. Shikoni, ata nuk kanë më marinë. Kishin 159 anije dhe secila prej tyre tani ndodhet në fund të detit.”
Deklaratat vijnë pasi zyrtarë amerikanë thanë se SHBA dhe Irani kishin arritur një memorandum mirëkuptimi, i cili parashikon zgjatjen e armëpushimit me 60 ditë dhe do t’i hapte rrugën bisedimeve mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit. Siç thuhet, ajo do të lejonte lundrim të pakufizuar në Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i jepte 30 ditë kohë Iranit për të hequr minat nga rruga e ngushtë detare. Po ashtu, do të hiqej bllokada e SHBA ndaj porteve iraniane dhe do të lehtësoheshin sanksionet ndaj Iranit.