Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, duke folur për rastet e manipulimeve me vota, tha se Prizreni ka qenë një prej rasteve më të mëdha me keqpërdorime të votave.
“Padyshim, Prizreni ka qenë njëri prej rasteve më të mëdha të keqpërdorimeve që kanë ndodh me rezultatet zgjedhore. Kemi pas diku mbi 68 mijë vota të manipuluara. Kemi ndërmarrë veprime hetimore të shpejta. Kemi siguruar prova personale, prova materiale. Dhe ju e dini, ka qenë edhe publike që kemi arrestuar 109 persona për një ditë dhe një pjesë të madhe të tyre me përgjegjësinë më të lartë i kemi dërguar edhe me kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. I ka aprovuar gjykata e shkallës së parë edhe gjykata e shkallës së dytë, dhe siç jeni në dijeni Gjykata Supreme më pas i ka liruar. Ne jemi ata të cilët duhet t’i respektojmë vendimet gjyqësore”, tha Kryeziu.
Kryeziu tha se pjesa sa të dyshuarit kanë qenë në paraburgim, ka qenë pjesa “më e artë e hetimeve”.
“Kemi siguruar shumë prova në atë pjesë, kemi fituar dëshmitarë bashkëpunues sepse përveç zgjedhjeve, nga aty kemi zbuluar edhe keqpërdorim detyre zyrtare, kemi zbuluar edhe dhënie e marrje të ryshfetit, kemi zbuluar edhe kanosje”, shtoi Kryeziu.
Kryeprokurori u shpreh i bindur se do të zbulonin shumë më shumë, por që masat u ndërprenë dhe se qytetarët mendojnë se me ndërprerjen e masave edhe lirohen.
Për të dyshuarit, Kryeziu tha se ende janë duke u zhvilluar hetime dhe kur të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë do të ballafaqohen me aktakuza.
“Secili prej tyre, sidomos që kanë mbajtur pozita zyrtare dhe që janë në këtë shoqëri, sepse kemi pa që janë mësues, arsimtarë dhe gjithçka tjetër, ne krahas aktakuzës do të popozojmë edhe dënimin plotësues të mos-ushtrimit të funksioneve në administratë publike dhe në shërbime publike”, tha Kryeziu.
“Nuk na duhen as arsimtarë e as mësues që sot vjedhin vota, e nesër na i mësojnë fëmijët”, theksoi ai.
I pari i Prokurorisë së Prizrenit shtoi se përveç Prizrenit, po hetohet edhe Suhareka, Dragashi e Mamusha./BetimipërDrejtësi