Manchester City e ka mposhtur Manchester Unitedin me një paraqitje të shkëlqyer, duke dalë triumfues nga derbi i Mançesterit në Premierligë të dielën në “Etihad”, dhe si rrjedhojë e ka rimarrë kreun në renditjen tabelore.
Skuadra e Pep Guardiolës ia doli me sukses ta ruajë ecurinë e skuadrës së pamposhtur edhe pas 12 javëve në edicionin e ri të ligës elitare angleze, duke i mundur 2-1 “Djajtë e kuq” të Jose Mourinhos, raporton Gazeta Express.
Pak para një çereku lojë, David Silva i kaloi vendasit në epërsi pas një super kombinimi me Silvën tjetër, Bernardon.
Një pjesë e parë e dominuar plotësisht nga djelmoshat e Pep Guardiolës, u mbyll me zero goditje në portë nga lojtarët e Jose Mourinhos.
Një goditje të papritur Unitedi e mori qysh në minutat e para të pjesës së dytë, kur Kun Aguero e bombardoi portën e David De Geas, me Ryiad Mahrez që i asistoi.
Një fije shprese për mysafirët e dha Anthony Martial kur realizoi golin e vetëm pas një orë loje, pasi Romelu Lukaku e kishte fituar një penallti nga prekja e parë e topit pasi u fut në lojë si zëvendësues momente më herët.
Por, rreth pesë minuta para fundit, mesfushori Ilkay Gundogan e vulosi fitoren e Cityt duke shënuar nga afërsia, Bernardo Silva përsëri asistues.
City tani ka 32 pikë në vendin e patë, dy më shumë se Liverpooli në vendin e dytë.
United, që e pësoi humbjen e katër këtë sezon, mbetet në kuotën e 20 pikëve dhe renditet e 8-t. /Express/


