Politologu Albinot Maloku ka paralajmëruar se bllokada politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e cila ka lënë Kosovën pa institucione të plota për më shumë se 200 ditë, po e dëmton rëndë vendin në aspektin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
Ai ka thënë se Kosova po humb besueshmërinë në arenën ndërkombëtare dhe po rrezikon të mbetet pa fondet e Bashkimit Evropian që kalojnë mbi një miliard euro.
“Më që kanë kaluar mbi 200 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pa institucione të vendit, pa qeverinë e mbi të gjitha këtë fazën e parë të ashtuquajturit ngërq politik, që nuk është vetëm ngërç politik por edhe bllokadë. Të gjitha këto kanë rënduar situatën në masë që nuk e kemi menduar që do të vijë deri këtu në aspektin e kësaj synimeve, para së gjithash të Kosovës drejt integrimeve evropiane që kemi ngecje të fuqishme. Çështjen e këtij rrugëtimi i cili është i bllokuar me fajin tonë por parapelqisht kësaj ka një përgjegjësi Bashkimi Evropian që nuk ka pasur një vizion të qartë në vazhdimësi e sidomos këtë dekadën e fundit në raport me Kosovën se si t’i qaset për t’ia hapur rrugën mirëfilli drejt integrimeve evropiane. Mirëpo pesh tjetër e fajit është e jona si shtet, si politikë e cila nuk arriti të bëjë ndarjen e prioriteteve për Kosovën, duke i vendosur parasëgjithash prioritete individuale të liderëve të caktuar të subjekteve politike në vend”, tha ai për EO.
Maloku ka theksuar se për shkak të kësaj situate, Kosova rrezikon fondet nga BE-ja, të cilat janë jetike për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të vendit.
“Fondet e planifikuara nga BE-ja me programe të ndryshme kalojnë mbi një miliardë në raport me Kosovën. Po flasim për të gjitha këto projekte, fondet specifike, duke përfshirë edhe këto të veçanta, të zhvillimit të përgjithshëm dedikuar vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe këto fonde nuk po vijnë si pasojë gjithsesi e fajit politik që e ka lidershipi politik në Kosovë dhe mos serioziteti i tij për ta vendosur si prioritet Kosovën para se të vendoset vullneti individual dhe partiak i subjekteve të caktuar politike. Kemi të bëjmë me efektin politik, efektin ekonomik, dhe diplomatik të Kosovës që ka një stagnim të fuqishëm duke qenë e vetkënaqur, e vetë izoluar dhe kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për perspektivën sidomos qoftë se Kosova e ka pasur, e ka treguar që ka një vullnet për të pasur një perspektivë evropiane. Këto e bëjnë situatën jo të favorshme për Kosovën dhe fajin për këtë e ka ai që ka fuqinë politike”, tha ai.
Ai ka shtuar se mesazhi që u është dhënë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë është i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës.
“Së pari kemi përcjellë mesazhin ndaj qytetarëve që kemi dozë të madhe të jo seriozitetit, të mos respektit. Më pastaj si spektër politik në raport me ndërkombëtarët e posaçërisht me ata që kanë qenë fuqizues të shtetësisë së Kosovës, mbështetës dhe aleatë, kemi treguar dozë jashtëzakonisht të seriozitetit dhe mos respektit, kjo është e dëmshme edhe në stadë afatgjata për Republikën e Kosovës”, tha ai.
Sa i përket situatës aktuale institucionale, Maloku ka nënvizuar se vendi është pa qeveri funksionale.
“Aktualisht në Kosovë nuk kemi qeveri, kemi qeveri në detyrë, pa kapacitet të plotë kushtetues dhe ligjor për të vepruar dhe për të marrë vendime dhe për të shtyer përpara agjendat e Kosovës, sidomos në fuqizimin ndërkombëtar po edhe vendor. Për rrjedhojë kjo është faza e parë që i ka dhënë këtë stagnim më të fuqishëm të procesit në të cilin ndodhet Kosova. Për pasojë të mos pasjes së institucioneve fuqiplota në aspektin e veprimtarisë së tyre kushtetuese, gjithsesi se as nuk ka seriozitet, as nuk ka perspektivë e që të dyjat janë të dëmshme për Republikën”, u shpreh ai.