Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i ka kërkuar gjykatës që ta hedhë poshtë aktakuzën e ngritur kundër tij për rastin e ikjes nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), më 2014. Me arsyetimin se është e pabazuar, të njëjtën e kanë kërkuar edhe djali i tij Mërgim Lushtaku dhe disa të akuzuar të tjerë për krim të organizuar, shkruan sot Koha Ditore.
Kërkesën të akuzuarit e kanë dorëzuar me shkrim para trupit gjykues. Pas kësaj, Gjykata ka njoftuar se procesi gjyqësor shtyhet derisa të vendosin rreth tyre.
Ish-kreu i Skenderajt, së bashku me të akuzuarit Sahit Jashari e Ismet Haxha në rastin “Drenica 1”, patën refuzuar që të transferoheshin në burgun e Mitrovicës së Veriut derisa ishin në paraburgim.
Pas negociatave disaditore me EULEX-in, u patën kthyer sërish në Burgun e Dubravës.