Lufta në Ministri: Njerëzit e Palit refuzojnë kërkesën e Abdixhikut dhe Kurtit për ta anuluar tenderin 110 milionësh

Gazeta Express e ka siguruar një opinion ligjor të Zyrës së Kryeministrit, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës, për të anuluar tenderin e rrugës Prishtinë – Gjilan, për shkak të shkeljeve të shumta, por këtij opinioni nuk po i binden njerëzit e administratës së kaluar
Ndërrimi i pushtetit ka shkaktuar një luftë të madhe në njërin nga dikasteret e Qeverisë së Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit është bërë arenë e një ballafaqimi mes qeverisë së kaluar dhe të resë.
Njerëzit e ministrit të kaluar të Infrastrukturës, Pal Lekaj, nuk po e dëgjojnë shefin e ri të këtij dikasteri qeveritar, Lumir Abdixhiku, e as kryeministrin e ri të vendit, Albin Kurti.
Kërkesa e Abdixhikut dhe Kurtit, për të anuluar një tender me vlerë prej 110 milionë eurosh, është refuzuar nga individë të administratës së kaluar.
Ata nuk po e përfillin një opinion ligjor të Zyrës së Kryeministrit, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, për të anuluar tenderin e rrugës Prishtinë – Gjilan, për shkak të shkeljeve të shumta.


Sipas këtij opinioni ligjor, “Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit nuk ka të zotuar buxhetin për Projektin ‘Ndërtimi i Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqyi Bresallc – Dheu i Bardhë; Nga Stacioni 26+875.00 – stac.51+573’, siç parashihet me legjislacionin përkatës për financat publike”.
“Rrjedhimisht”, thuhet në këtë opinion ligjor nga Zyra e Kryeministrit, “asnjë procedurë e prokurimit publik nuk mund të fillojë përderisa nuk janë siguruar fondet, si dhe asnjë obligim kontraktual nuk mund të ndodhë”.

Lexo edheKonfiskohen 800 kilogramë mish pa vulë në Klinë (Video)
Opinioni ligjor rekomandon që “Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit të bëjë anulimin e menjëhershëm të shpalljes së tenderit… në pajtim me legjislacionin në fuqi”.
Por, Betim Reçica, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, në një letër që u ka dërguar ministrit Abdixhiku dhe kryeministrit Kurti, ka thënë se “ky projekt ka buxhet të aprovuar dhe të gjitha kërkesat ligjore që lidhen me nenin 36.par.1 për LMFPP, si dhe kërkesat e Nenit 9 të Ligjit të Prokurimit Publik janë përmbushur para njoftimit për inicimin e aktivitetit të prokurimit”.
Reçica ka bashkëngjitur disa prova shkresore, për të mbështetur refuzimin e tij ndaj kërkesës së parashtruar nga ministri dhe kryeministri.



Ai ka shkruar në fund se “në situata të tilla, kur aktiviteti i prokurimit është në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Ligjin mbi Financat Publike në asnjë rrethanë nuk mund të cenohet ligji me anulim të pabazë për ndonjë aktivitet, sepse në situata të tilla buxheti i Republikës së Kosovës mund të cenohet seriozisht”.
Mbetet të shihet se si do të reagojnë ministri Abdixhiku dhe kryeministri Kurti pas përgjigjes negative nga sekretari i përgjithshëm i MIA’s. /Express/














