Nga 4 qershori, reperja shqiptaro-zvicerane Loredana dhe bashkëshorti i saj, futbollisti Karim Adeyemi, do të sjellin për publikun detaje nga jeta e tyre private dhe marrëdhënia në dokumentarin “Karim & Loredana – Love & Drama”.
Në trailerin e publikuar, ylli i Borussia Dortmund shprehet: “Ne nuk jemi njerëz normalë dhe as një çift normal”, duke paralajmëruar një rrëfim të sinqertë mbi jetën e tyre personale, transmeton Indeksonline.
Dokumentari nuk shmang as temat më të ndjeshme nga e kaluara e Loredanës. Reperja, e lindur në Luzern, ishte në qendër të vëmendjes në vitin 2019 pas akuzave se kishte mashtruar një çift nga Valaisi për rreth 700 mijë franga zvicerane.
Në trailer shfaqet edhe një artikull me titullin: “Reperja Loredana arrestohet: Dyshohet se i ka marrë një çifti 613 mijë euro”. Gjithashtu, në pamje shihet shkurtimisht edhe një nga viktimat e pretenduara të rastit, megjithëse mbetet për t’u parë se sa hapësirë do t’i kushtohet kësaj çështjeje në dokumentar.
Edhe Adeyemi ka pasur përballje me polemika. Në vitin 2025, ndaj tij u lëshua një urdhër penal për posedim të paligjshëm armësh, pasi autoritetet gjetën në pronësi të tij, mes të tjerash, një boks hekuri dhe një pajisje elektrike trullosëse. Në dokumentar ai rrëfen: “Donin të më shkatërronin”.
Në prodhim pritet të flasin edhe miq dhe bashkëpunëtorë të çiftit, të cilët theksojnë mbështetjen e ndërsjellë që ata i japin njëri-tjetrit. Në intervista të mëparshme, Loredana ka deklaruar se ajo dhe Adeyemi janë “si miqtë më të mirë” dhe se synimi i dokumentarit është të përcjellë një mesazh pozitiv.
Një pjesë e rëndësishme e dokumentarit do të jetë edhe roli i Loredanës si nënë. Në projekt shfaqet edhe vajza e saj, Hanna, e cila vjen nga lidhja e mëparshme me reperin Mozzik.
Dokumentari “Karim & Loredana – Love & Drama” premton të tregojë jo vetëm famën dhe sfidat e çiftit, por edhe anën e tyre më personale dhe familjare./Indeksonline/