Komuna e Prishtinës ka njoftuar se vendosja e muralit kushtuar Nënë Terezës do të bëhet të shtunën, më 28 nëntor, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 09:00.
Ky vendim vjen pas polemikave dhe pengesave të së premtes mbrëma për vendosjen e muralit në murin e jashtëm të objektit të Ministrisë së Ekonomisë në kryeqytet, transmeton lajmi.net.
Fillimisht, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se Policia e Kosovës kishte ndaluar punimet, duke u thënë përfaqësuesve të Komunës se urdhri për ndërprerjen e tyre kishte ardhur “nga lart”.
Rama kishte kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me personat që kishin dhënë urdhrin dhe bazën ligjore për ndërhyrjen, duke ngritur edhe dyshime për presion politik.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë reagoi duke bërë të ditur se ndalimi i punimeve ishte bërë në bazë të vendimit të Prokurorisë. Sipas Ministrisë, objekti ku ishte planifikuar vendosja e muralit është pronë e saj dhe Komuna nuk kishte marrë pëlqimin për ndërhyrje.
Pas këtyre zhvillimeve, Komuna e Prishtinës ka dërguar një ftesë për media, ku ka konfirmuar lokacionin e ri dhe kohën e vendosjes së veprës artistike.
“Ju ftojmë të përcillni vendosjen e muralit të Nënës Terezë, që do të bëhet nesër, e shtunë, 28 nëntor 2026, në orën 09:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Në këtë ngjarje është paralajmëruar pjesëmarrja e kryetarit Përparim Rama, së bashku me anëtarët e kabinetit të tij./lajmi.net/