LDK përtojnë të ecin disa hapa për t’iu bashkangjitur protestës, me xhipat e tyre largohen nga Kuvendi pas homazheve për Flora Brovinën

Lidhja Demokratike e Kosovës në komunikatën e lëshuar me 16 shtator për vendimin e Gjykatës Speciale ishte “shumë e ashpër”.
Por, këto ‘reagimet’ e tyre duket se janë të ashpra vetëm në fjalë, pasi në realitet po veprojnë ndryshe, transmeton lajmi.net.
Një delegacion i LDK-së sot ishte në Kuvend, për të bërë homazhe për veprimtaren Flora Brovina.
Delegacioni i LDK-së i përbërë nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, dhe deputetja Vjosa Osmani, “përtuan” të ecin disa hapa më shumë për t’iu bashkangjitur protestës në shesh, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katërshen e UÇK-së.
Delegacioni i LDK-së pas homazheve kanë vazhduar me xhipa në destinacion tjetër, duke ikur nga sheshi i mbushur me qytetarë dhe duke refuzuar në mënyrën absolute që t’i bashkohen thirrjeve për zhbërjen e Gjykatës Speciale që dënoi Hashim Thaçin me 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite burgim, Jakup Krasniqi me 25 vite burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim.
Në protestë morën pjesë zyrtarë të PDK-së dhe Aleancës, derisa aty nuk u pa askush nga LDK-ja dhe Vetëvendosje.
Madje deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar tërheqjen nga politika të deputetit të LDK-së, Anton Quni, duke thënë se ai ka bërë një deklaratë ku thoshte se “jep dorëheqje” kur Hashim Thaçi e Kadri Veseli të jenë në burg.
“Deputeti Anton Quni të tërhiqet nga politika sepse nëse iu kujtohet pat thënë se kur të jetë në burg Hashim Thaçi e Kadri Veseli, unë do ta lë politikën. Prandaj, Anton, nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj asaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, deklaroi Musliu.

Lexo edheGanimete Musliu: Anton Quni tha se do të tërhiqej nga politika kur Thaçi e Veseli të jenë në burg, atëherë jep dorëheqje
Vjosa Osmani, në fund të mandatit të saj si presidente, kishte marrë pjesë në “Marshin Për Drejtësi”, pasi i duheshin votat e PDK-së për një mandat të dytë, por pas prishjes së marrëdhënieve me Albin Kurtin, mandati i dytë për të mbeti vetëm një iluzion.
Osmani në “Marshin Për Drejtësi” ishte krah për krah me Endrit Thaçin, djalin e ish-presidentit Hashim Thaçi. Por, tash kur nuk i duhen më votat, ajo refuzon të marr pjesë në marshet e protestat për UÇK-në.

Kurse në fund të protestës, u prezantuan edhe katër kërkesat kryesore të organizatorëve të protestës.
“Kërkesa nr1. Shfuqizim ose ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa nr.2. Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Çka është një ministre pa popullin, popullim nuk e keni mbrapa, duhet të largoheni. Kërkesa nr3. Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që iu duhen krerëve të UÇK-së dhe kombit tonë. Kërkesa nr4. Angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë në mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, sepse UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është shteti i Kosovës, dhe ne nuk do ta lejojmë të na merrni atë që e kemi fituar me gjak”.
Kjo protestë është thirrur nga OVL-UÇK./Lajmi.net/












