LDK pasi nuk votuan Rezolutën për ish-krerët e UÇK-së: Do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për viktimat, shteti të guxoj të përballet me të vërtetën

Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës me 90 vota për është miratuar rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Por në këtë votim nuk morën pjesë deputetët e LDK-së, e në sallë nuk qëndruan as nga Lista Serbe derisa deputeti i vetëm që votoi kundër ishte Fatos Geci nga Lista Guxo.
E pasi shumë reaguan në lidhje me qëndrimin e LDK-së, i cili u pa si i padrejtë kanë reaguar nga kjo parti.
Nga LDK-ja u arsyetuan duke thënë se Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, jo me rezoluta të pjesshme e selektive.
Sipas LDK-së, refuzimi që aty të përfshihen zbardhjen e rasteve të vrasjes pas luftës e bëri atë rezolutë të paplotë e të mangët, transmeton lajmi.net.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat”.
Reagimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.

Lexo edheTenisti serb Gjokoviq ik për të jetuar në Greqi, i dolën probleme me shtetin pasi përkrahu protestat studentore
LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë./Lajmi.net/














