LDK i reagon Sveçlës: E fotografoi aktivistin tonë pa pëlqimin e tij, shenjë e panikut

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka reaguar ministrit në detyrë Xhelal Sveçla për “përplasjen” me një qytetar që kishte logon e LDK’së në setër dhe gjendej afër një shkolle në Prishtinë.
LDK thotë se e dënon këtë veprim të Sveçlës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.”
Sipas LDK’së ky veprim është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike.”

Lexo edhePërplasje në KQZ për votimin me asistencë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
“LDK-ja thekson se aktivistët tanë, anëtarët tanë dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim. Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend.”














