Gruda: Nuk kemi komunikuar me VV-në

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se nuk ka pasur komunikim me Lëvizjen Vetëvendosje që nga dita e djeshme, ndërsa ka deklaruar se tema kryesore e ditës duhet të jetë dhuna policore gjatë protestës së mbrëmshme.
Gruda i bëri këto deklarata para mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Nuk ka komunikim prej dje. Tema e sotme, tema e ditës sot, është dhuna e mbrëmshme policore, e paparë në historinë e Kosovës së lirë. Ata që kanë dhënë urdhrin politik dhe ata që kanë ekzekutuar urdhra të tillë për t’i rrahur qytetarët e Kosovës barbarisht, për t’i rrahur barbarisht veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë për të dhënë një për një llogari para ligjit.

Lexo edheBurim Ramadani dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për rastin e Auditorit të Përgjithshëm
Dhe kjo shoqëri nuk ka për të lejuar që kjo ngjarje, ku njerëzit dalin për të protestuar për vlerën më kryesore që ky vend e ka, të mbetet pa u adresuar. Të rrihen në mënyrë të tillë dhe të shtypet një protestë kaq fisnike, kaq e rëndësishme për të tashmen, për historinë dhe për të ardhmen, kjo nuk do të mbetet pa u adresuar.
Kjo është ajo çka mund të them sot dhe ky është debati i ditës së sotme dhe ditëve në vijim, me të cilin kjo shoqëri do të përballet”, ka deklaruar Gruda.












