Largimi i KFOR-it nga veriu, a pati reagime nga qytetarët serbë? Flet Veton Elshani

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar për KosovaLive se situata në veri të vendit është e qetë, pas njoftimit për vendosjen e Policisë së Kosovës në atë pjesë.
Elshani tha se Policia e Kosovës është e pranishme në veri për të garantuar sigurinë e qytetarëve, rendin dhe qetësinë publike.
“Nuk ka ndonjë shqetësim. Nuk ka diçka të jashtë zakonshme, ne kemi qenë edhe më parë aty. Policia po bën detyrat e veta aty, sepse ne jemi aty për sigurinë e qytetarëve, për rendin dhe qetësinë publike”, tha Elshani.
Ai theksoi se pjesëtarët e Policisë kanë qëndruar më gjatë në veri, duke e vlerësuar situatën si delikate për shkak të mundësisë së ndonjë vendimi politik që mund të kërkojë ndërhyrjen e institucioneve të sigurisë.
“Ajo që është me rëndësi të thuhet është se Policia e Kosovës ka qasje në secilin vend të veriut. Në rast se ka nevojë për të ndërhyrë, atëherë do të ndërhyjmë”, deklaroi ai.

Lexo edheArrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet se tentoi t’u jepte ryshfet policëve kufitarë
I pyetur nëse ka pasur reagime nga qytetarët serbë pas vendosjes së Policisë së Kosovës dhe tërheqjes së forcave, Elshani tha se nuk është raportuar ndonjë incident.
“Situata është e qetë dhe vazhdon të jetë e qetë. Nuk ka ndonjë problem për t’u theksuar”, tha ai.














