Kuvendi drejt konstituimit: LDK-ja voton pro, PDK-ja në sallë, Aleanca e bojkoton

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, por partitë politike ende kanë qëndrime të ndryshme rreth procesit të konstituimit të legjislaturës së re.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancë dhe do ta votojë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë të qartë se partia e tij do të mbështesë edhe kandidatët për nënkryetarë që propozohen nga subjektet politike, transmeton lajmi.net.
Haziri ka thënë se qëndrimi i LDK-së është në funksion të zhbllokimit të institucioneve dhe se partia e tij ka qenë vazhdimisht e gatshme për marrëveshje dhe bashkëpunim politik.
“Ne si LDK e votojmë”, ka deklaruar Haziri, duke iu referuar kandidatit të VV-së për kryetar të Kuvendit.
Ai ka theksuar se për LDK-në është e rëndësishme që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe që subjektet politike të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar.
“Unë jam kanë pro marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, të koordinimit sa ma të mirë. Kështu që nesër, natyrshëm, duhet me kalu kandidati i VV-së për kryetar të Kuvendit, kushdo që është, dhe nënkryetarët që vijnë nga secila parti”, ka deklaruar Haziri në Kanal10.
Sipas tij, në situatën aktuale nuk duhet të ketë më zvarritje të procesit, pasi vendi ka nevojë për institucione funksionale.
“Duhet të ulemi, duhet të bisedojmë dhe duhet të gjejmë zgjidhje. Nuk është në interes të askujt që kjo situatë të vazhdojë pafundësisht”, është shprehur Haziri.
Ndërkohë, në seancë pritet të marrë pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës. Deputetët e PDK-së do të jenë në sallë, por partia deri tani nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë apo jo kandidatin e VV-së për kryetar të Kuvendit.
Kreu i PDK-së Bedri Hamza ka njoftuar se PDK do e propozoj Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
Pra, ndryshe nga LDK-ja, e cila ka deklaruar hapur se do të votojë, PDK-ja ka zgjedhur të marrë pjesë në proces, ndërsa qëndrimi i saj për votën mbetet i paqartë.
Në anën tjetër, Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e sotme. Aleanca e konsideron vazhdimin e seancës si antikushtetues dhe ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e këtij procesi.

Lexo edheMusliu: Kur Thaçi të shkelë tokën e Kosovës i lirë, duhet të zgjidhet president
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka argumentuar se mënyra se si po zhvillohet procesi i konstituimit nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Ne nuk do të marrim pjesë në një seancë që e konsiderojmë antikushtetuese”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, AAK-ja nuk dëshiron që me pjesëmarrjen e saj të japë legjitimitet një proces që, në vlerësimin e kësaj partie, është duke u zhvilluar jashtë afateve dhe procedurave kushtetuese.
“Ne e kemi qëndrimin shumë të qartë. Nuk mund të bëhemi pjesë e një procesi që është antikushtetues vetëm për hir të faktit që duhet të ndodhë diçka në Kuvend”, ka thënë Gjini.
Ai ka shtuar se çështja nuk është vetëm politike, por edhe institucionale dhe juridike.
“Për ne, Kushtetuta duhet të respektohet. Nuk mund të ketë interpretim politik të Kushtetutës sa herë që një partie i konvenon”, është shprehur kryetari i Aleancës.
Gjini ka paralajmëruar se Aleanca do të vazhdojë ta mbajë këtë qëndrim edhe nëse partitë e tjera vendosin të marrin pjesë dhe të votojnë.
“Aleanca nuk do ta legjitimojë këtë proces. Ne do të qëndrojmë në qëndrimin tonë deri në fund”, ka deklaruar ai.
Seanca konstituive pritet të zhvillohet në një situatë ku vota e LDK-së mund të jetë përcaktuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. PDK-ja do të jetë e pranishme, por pa e bërë publik vendimin për votim, ndërsa AAK-ja do të mungojë në shenjë bojkoti.
Në këtë mënyrë, përballë kandidaturës së VV-së për drejtimin e Kuvendit, pozicionet e tri partive kryesore opozitare janë të ndryshme: LDK-ja ka konfirmuar votën pro, PDK-ja do të marrë pjesë pa treguar se si do të votojë, ndërsa AAK-ja do ta bojkotojë seancën duke e konsideruar atë antikushtetuese./Lajmi.net/












