Kusari-Lila dhe ambasadorët e Kosovës diskutojnë për promovimin e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve

Diplomacia dhe ekonomia duhet të ecin bashkë, ndërsa ambasadat e Republikës së Kosovës kanë një rol të rëndësishëm jo vetëm në përfaqësimin e vendit tonë, por edhe në krijimin e urave të reja mes bizneseve kosovare, investitorëve, partnerëve dhe tregjeve ndërkombëtare.
Në kuadër të Konferencës IX të Ambasadorëve “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, u takua me ambasadorët e Republikës së Kosovës në botë.
Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi punën e Ministrisë në mbështetje të bizneseve vendore për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhimit, si dhe për përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj. Një pjesë e diskutimit iu kushtua rolit të përfaqësive diplomatike në hapjen e tregjeve të reja për bizneset kosovare dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime.
Duke u ndalur te zhvillimi i ekonomisë së Kosovës, në takim u vlerësua se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t, MPJD-së, përfaqësive diplomatike dhe sektorit privat është i rëndësishëm për rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të reja dhe adresimin e deficitit tregtar me të cilin përballet vendi.

Lexo edheCakolli reagon ndaj Deharit: Në kushtetutë janë së paku 40 afate, vetëm për 8 ka sanksione, me këtë logjikë 80% e afatave nuk janë detyruese
Pas takimit, në kuadër të sesionit Business to Ambassador (B2A), ambasadorët zhvilluan takime me përfaqësues të bizneseve kosovare nga sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë e informacionit, industrinë e drurit dhe prodhimin, agro-përpunimin, industritë kreative dhe filmin, si dhe turizmin.
Këto takime synuan krijimin e lidhjeve të reja, shkëmbimin e informacionit dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve kosovare dhe përfaqësive diplomatike, me qëllim që mundësitë e reja për eksport dhe investime të kthehen në rezultate konkrete.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se tani është koha që diskutimet dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të përkthehen në iniciativa konkrete që do të kontribuojnë në përshpejtimin e transformimit të ekonomisë së Kosovës.














