Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se nga dita e hënë, 18 maj 2020, kur Kosova do të hyjë në fazën e dytë të lirimit të masave dhe do të rihapen një numër i madh i bizneseve.
Kjo do të thotë hapje më të madhe të ekonomisë dhe rrjedhimisht edhe lëvizje të shtuar të qytetarëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar bizneset që do të rihapen nga e hëna janë:
1. Floktarët dhe sallonet e ondulimit
2. Stomatologët dhe fizioterapeutët
3. Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër
4. Gastronomia (merre-me-vete, take aëay)
5. Transporti hekurudhor
6. Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta)
7. Qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe
8. Hapja e galerive dhe muzeve.
Kurti po ashtu ka njoftuar se do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.
“Dy javët e fundit janë shumë të mira sa i përket luftimit të pandemisë COVID-19, por jo edhe katër ditët e fundit: sonte janë 10 të infektuar e vetëm një i shëruar, dje kanë qenë 18 të infektuar e 19 të shëruar, pardje 8 të infektuar e asnjë i shëruar, kurse para tri ditëve 24 të infektuar e 14 të shëruar. Prandaj, çdo lëvizje është e arsyeshme vetëm nëse është e domosdoshme. Me kujdes të shtuar të vazhdojmë të mbajmë distancën, të vendosim maska fytyrës e të ruajmë pastërtinë. Përndryshe, duhet t’i rikthejmë masat rigoroze sepse do të na rikthehet vala e pandemisë së virusit Corona. Por, bashkë, ama vetëm bashkë, do të fitojmë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.