

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve dje e ka akredituar televizionin serb “Kurir televizja”, i cili propagandon kundër Kosovës. Kjo u bë e mundur me votat e dy zyrtarëve të VV-së në KQZ.
Pa asnjë fjalë kundërshtimi dhe në pajtueshmëri të plotë, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi i kanë ngritur duart dhe kanë votuar për akreditimin e mediumeve vendore dhe ndërkombëtare që do të përcjellin zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Në mesin e mediumeve të akredituara në mbledhjen e fundit është edhe “Mondo Inc doo / Kurir televizja” me 2 vëzhgues.
Ky medium nga Serbia, që njihet për qasjen negative ndaj Kosovës nuk iu ka bërë përshtypje dy zyrtarëve të VV-së.
Madje, mediumi në fjalë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të Serbisë.
Në këtë mënyrë ky medium është në linjë me autoritetet zyrtare të Serbisë.
Akreditimi i kësaj media për zgjedhjet lokale të tetorit kundërshtohej nga përfaqesuesit e VV-së në KQZ.
Madje, kjo media nuk kishte arritur të akreditonte në mbledhjen e parë të tetorit për shkak të kundërshtimit të madh të përfaqësuesve të LVV-së.
Në atë mbledhje, e cila ishte mbajtur më 9 tetor, më i zëshmi kishte qenë anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi.
Ai kishte kërkuar që mediat ndërkombëtare të ndahen nga ato nga arena ndërkombëtare, shtetet që e njohin Kosovën me ato që vijnë nga Serbia, “të cilat edhe janë të njohura për propagandën, shpifjen që e bëjnë dhe luftën speciale që e bëjnë ndaj Kosovës”.
Ai kishte marrë shembull Radio Televizionin e Serbisë që nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e trajton “si pjesë të Serbisë”.
Vendimi i KQZ-së për mosakreditimin e disa mediave kishte nxitur reagime të ashpra nga organizatat që merren me mbrojtjen e gazetarëve dhe nga faktori ndërkombëtar.
Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehu zhgënjimin për këtë vendim, ndërsa Ambasada e Gjermanisë mbështeti deklaratën e OSBE-së, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjitha mediat.
Presioni i madh publik, kishte detyruar KQZ-në që të tërhiqej nga vendimi dhe të ndryshonte atë.
Më pas KQZ-ja në një mbledhje online kishte marrë vendim që të akreditonte mediat serbe me seli në Kosovë dhe Serbi.
Në mesin e medieve që ishin akredituar ishte edhe “”Radio Televizije Srbije” dhe “Kurir Televizija”.



