HomeLajmeKontrata prej 600 mijë eurosh që u nënshkrua me 153 euro? Komuna...

Kontrata prej 600 mijë eurosh që u nënshkrua me 153 euro? Komuna e Mitrovicës jep detaje

Të ngjajshme

Pas raportimeve të IndeksOnline lidhur me kontratën për “Hartimin e projekteve për investime kapitale” në Komunën e Mitrovicës, zyrtari i prokurimit në këtë komunë ka dhënë sqarime rreth dallimit mes vlerës së parashikuar prej 600 mijë euro dhe shumës prej 153.26 euro që figuron në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.

Në një përgjigje për IndeksOnline, zyrtari përgjegjës i prokurimit në Komunën e Mitrovicës Jugore, Kushtrim Mehaj, ka bërë të ditur se shuma prej 153.26 euro nuk përfaqëson vlerën reale të kontratës, por është çmimi i poentuar (i peshuar), i cili përdoret vetëm gjatë procesit të vlerësimit të ofertave.

Sipas tij, funksioni i çmimit të poentuar është vetëm përcaktimi i ofertës me çmimin më të ulët, ndërsa pagesat realizohen mbi bazën e çmimeve të ofertuara për njësi.

“Çmimi total i poentuar (153.26 euro) shërben vetëm për qëllim të vlerësimit të ofertave, ndërsa kontrata lidhet me çmime për njësi dhe mund të realizohet deri në vlerën e parashikuar prej 600 mijë eurosh”, ka thënë Mehaj.

Mehaj ka theksuar se kontrata në fjalë është pjesë e së njëjtës procedurë të prokurimit dhe se vlera maksimale e realizimit të saj mbetet 600 mijë euro.

Sa i përket shërbimeve që do të ofrohen në kuadër të kontratës, ai ka bërë të ditur se ato janë të specifikuara në dokumentacionin e tenderit të publikuar në platformën elektronike të E-Prokurimit.

Ndërkaq, numri i projekteve kapitale që do të hartohen nuk është i përcaktuar paraprakisht, pasi sipas zyrës së prokurimit kjo do të varet nga kërkesat që autoriteti kontraktues do t’i parashtrojë operatorit ekonomik gjatë zbatimit të kontratës.

Në rregulloren e prokurimit publik nr.002/2024 dhe udhëzuesit nr.002/2024 për prokurim publik, thuhet se në kontratat me çmime për njësi lexohet vetëm çmimi i poentuar për qëllime vlerësimi, ndërsa kontrata mund të realizohet deri në vlerën e parashikuar nga autoriteti kontraktues.

“Kurdo që Autoriteti kontraktues nuk dinë sasitë indikative, kontratat me çmime për njësi, AK duhet të përcaktoj peshat në bazë të rëndësisë së secilës “kategori të shërbimeve/artikujve” në mënyrë që Autoriteti Kontraktues të përcaktoj se cila është oferta me çmim më të ulët. Në këto raste nuk vlen pragu apo tavani plus/minus tridhjetë për qind (30%), si p.sh. mirëmbajtje të veturave, mirëmbajtje të gjeneratorëve, pajisjeve të ndryshme etj. Në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar) i cili shërben vetëm për qellim të vlerësimit të ofertave ndërsa kontrata lidhet me çmime për njësi dhe mund të realizohet deri në vlerë të parashikuar. Shuma e sigurimit të ekzekutimit të kontratës në këto raste duhet të përcaktohet si shumë fikse. Kontratat me çmime për njësi mund të udhëhiqen për llojet e kontratave për furnizime dhe shërbime. Kërkesat nga ky paragraf duhet të vendosen në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë”, thuhet në rregullore./IndeksOnline/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz