Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do ta pres nesër në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Sipas njoftimit të ZKM-së, takimi do të mbahet në orën 11:40.
Paraprakisht, ai do të takohet me Ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiun. Takimi me të është paraparë për në orën 11:00.
Policia ka thënë se për të mundësuar zhvillimin e sigurt të aktiviteteve të parapara gjatë vizitës, do të ndërmarrë masa të përkohshme të kontrollit dhe rregullimit të trafikut.
Këto masa mund të përfshijnë ndërprerje të shkurtra kohore të qarkullimit në segmente të caktuara rrugore, si dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative, varësisht nga nevojat operative dhe vlerësimet e sigurisë.
“Policia e Kosovës do të punojë në koordinim me institucionet përkatëse për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës dhe për të minimizuar ndikimin e masave të sigurisë në lëvizjen e qytetarëve. Me këtë rast, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe të të gjithë pjesëmarrësve në trafik, si dhe respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë në terren. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët ndërkombëtarë që vizitojnë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.