Arrestohet në Meksikë një nga 10 bosët më të kërkuar të drogës nga FBI-ja
Një nga bosët më të kërkuar të drogës në ShBA, Fausto Isidro “Chapo Isidro” Meza Flores, është arrestuar në Meksikë pas një përplasjeje të armatosur me forcat speciale meksikane.
Meza Flores u arrestua së bashku me një nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë gjatë një operacioni të zhvilluar të premten në qytetin Guasave, në shtetin Sinaloa. Lajmi u bë i ditur nga Sekretariati i Mbrojtjes i Meksikës, raporton BBC, transmeton IndeksOnline.
Ai ishte në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja dhe akuzohet nga autoritetet amerikane për trafikimin e sasive të mëdha të fentanilit, kokainës, heroinës dhe lëndëve të tjera narkotike drejt ShBA-së. Uashingtoni ka kërkuar ekstradimin e tij.
Meza Flores, i njohur edhe si drejtues i organizatës Meza Flores, që mban emrin e Kartelit të Guasaves, dyshohet se ishte i përfshirë në trafikun e drogës që prej viteve 1990. Për vite me radhë ai arriti t’u shmangej autoriteteve, duke mbajtur një profil të ulët.
Sipas autoriteteve meksikane, operacioni u realizua bazuar në informacione të inteligjencës amerikane për vendndodhjen e tij. Forcat speciale ndërhynë në mënyrë të befasishme, duke rrethuar zonën për të parandaluar arratisjen e tij dhe mbërritjen e përforcimeve.
Lexo edheFSK e Ushtria e Shqipërisë realizojnë ushtrim të përbashkët në Bizë, bëhen qitje me mortaja të sistemit “VURAN”
Megjithatë, gjatë ndërhyrjes, efektivët u përballën me rezistencë të armatosur, përfshirë të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime. Pas përplasjes, ata arritën të hynin në objekt dhe të arrestonin Meza Floresin dhe bashkëpunëtorin e tij.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar video që pretendohet se tregojnë helikopterë duke qëlluar drejt tokës në zonën e Guasaves. Pamje të tjera duket se tregojnë momentet kur njerëzit në një stadium bejsbolli largohen të frikësuar pasi dëgjojnë të shtëna armësh.





