KEK del me njoftim për punonjësit e vet

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përmes një njoftimi për media ka siguruar punëtorët e saj se mirëqenia dhe kushtet e punës mbeten prioritet i lartë i Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit, në përputhje me përgjegjësitë profesionale dhe ligjore për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmarrjes, sigurinë e operimeve dhe përmirësimin e performancës mjedisore.
KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj dialogut social me sindikatat për trajtimin e drejtë të çështjeve që lidhen me mirëqenien e punonjësve, gjithmonë në përputhje me performancën dhe mundësitë reale të ndërmarrjes, thuhet në komunikatë.
Bordi dhe Menaxhmenti vazhdimisht kanë treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe adresuar kërkesat e punonjësve dhe sindikatave, duke ruajtur stabilitetin financiar. Për vite me radhë, KEK ka ofruar përfitime të rëndësishme për punonjësit, përfshirë sigurim shëndetësor, transport, shujta të dinjitetshme, pagesa jubilare, pagesën e përvojës së punës, rritje lineare të pagave dhe bonuse vjetore.
Njoftimi vjen pasi punëtorët e KEK-ut organizuan sot një protestë paqësore në Prishtinë, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Lexo edheHaradinaj nga Klina: Aleanca po rritet, vizioni ynë është për stabilitet dhe zhvillim
Protestuesit kërkuan që pagat të rriten në një mijë euro, duke theksuar se trajtimi aktual është i padrejtë, teksa paralajmëruan, se nëse kërkesat nuk plotësohen sindikata do të kalojë në grevë, pas një periudhe të konsultimeve ligjore.














