Më 29 prill 2018, 14 skitarë u bllokuan në rajonin «Pigne d’Arolla» për shkak të motit të keq dhe natën është dashur ta kalojnë përjashtë. Me këtë rast jetën e kanë humbur katër persona, ndërsa pesë të tjerë janë në gjendje kritike.
Paraditen e sotme, rreth orës 06.30 kujdestari i rajonit në «Cabanne des Vignettes», ka informuar se disa persona natën e kanë kaluar nën qiellin e hapur. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekipet e shpëtimit, shtatë helikopterë të Air Zermatt si dhe REGA, me disa mjekë dhe specialsitë malorë. Aty hasën në 14 persona me ngrirje të rëndë, thuhet në një komunikatë të policisë zvicerane, përcjell Albinfo.ch.
Një person tashmë kishte ndërruar jetë në vendgjarje pas një rrëzimi. Me ndihmën e helikopterëve, ata janë dërguar nëpër spitalet e Valisit dhe jashtë këtij kantoni. Në ndërkohë, nëpër spitale jetën e kanë humbur edhe tre persona të tjerë, ndërsa pesë të tjerë janë edhe më tej në gjendje kritike. Skitarët e tjerë kanë pësuar ngrirje më të lehtë dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Sipas hetimeve fillestare, më 29 prill, një grup prej dhjetë personash së bashku me ciceronin e kanë lëshuar rajonin «Cabanne des Dix» (2.928 metra lartësi mbidetare) për të pushtuar majën «Haute Route Chamonix – Zermatt».
Mirëpo, në një lartësi detare prej 3.200 metrash ata bllokohen nga moti i lig dhe kanë qenë të detyruar natën ta kalojnë nën qiellin e hapur. Bëhet fjalë për skitarë italianë, gjermanë dhe francezë. Viktimat për momentin ende nuk janë identifikuar dhe hetimet do të vazhdojnë edhe më tej.