Kamishi thotë se atë mund ta shkarkojë vetëm Veseli, por Lushtaku thotë se “vendimet e tij s’ka kush i kthen”

Kryesia e degës së PDK-së në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga kryetari i degës Sami Lushtaku, ka marrë vendim që të përjashtojë nga Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj 7 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin Komunal të Skenderajt.
Në mesin e shtatë të shkarkuarve është edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, raporton Insajderi.
Haxhiu deklaroi sot se “nuk mundet Sami Lushtaku me djalin e tij e me disa anëtarë të më shkarkojë”. Në një bisedë me Gazetën Express, ish-deputeti Haxhiu tha se “vendimin për shkarkime e merr veç Kadri Veseli”.
Por, Insajderi ka kontaktuar me Sami Lushtakun. Ai ka dhënë një tjetër version.
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Skenderaj deklaroi se vendimi për shkarkimin e shtatë anëtarëve të degës është marrë për shkak se të shkarkuarit kanë ndikuar në përçarje brenda partisë.
“Është vendim i Kryesisë së partisë. Ka ndikuar për përçarje në Partinë Demokratike të Kosovës, në Skenderaj”, ka thënë ushtaku për Gazetën Online Insajderi.
Lexo edheKryeministri Haradinaj: Qeveria përkrah bizneset private për hapjen e vendeve të reja të punës
Lushtaku tregoi se ky vendim është marrë me vota unanime të anëtarëve të Kryesisë së PDK-së në Skenderaj.
I pyetur nëse vendimi mund të jetë i kthyeshëm, në rast të ndonjë ndërhyrjeje të mundshme të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ai deklaroi se kjo nuk ka asnjë mundësi të ndodhë.
“Vendimet e mija vetëm unë mundem e i kthy, e jo dikush tjetër”, ka deklaruar Lushtaku.
Anëtarët e përjashtuar të PDK-së në Skenderaj janë: 1. Azem Gashi, 2. Musa Fazliu, 3. Fatbardha Haliti, 4.Ilir Ejupi, 5. Sami Aruqi, 6. Driton Hetemi, 7.Fatlume Kodra. /Insajderi.com














