Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi në llogarinë e saj në Facebook, ka njoftuar për katër pikshin që do ta përcjellë këtë parti nëse kandidati i vetëm për kryetar të VV-së, Albin Kurti arrin të bëhet kryetar, shkruan Insajderi.
“Sot u prezantua platforma e udhëheqjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga kandidati për kryetar Albin Kurti. Këto janë katër pikat që do e përcjellin Lëvizjen nën udhëheqjen e Albin Kurtit, nëse ai e fiton votëbesimin e anëtarëve në zgjedhjet e brendshme”.
“Organizatë e gjerë, Lëvizje dinamike, Struktura transparente, Dije dhe nder”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Albin Kurti ka prezantuar sot kandidaturën e tij për katër vitet e ardhshme nëse arrin t’i fitojë votat e mjaftueshme. Në këtë tubim të VV-së nuk morën pjesë gati gjysma e deputetëve të kësaj partie.
Kurti në fjalimin e tij ka shprehur keqardhje që nuk ka asnjë kundër kandidat për kryetar të kësaj partie, ai mes tjerash pati disa fjalë të mira për Ymerin.
“Më vjen keq që nuk do të kemi edhe një platformë tjetër që më kundërshton. Kam pasur dëshirë të ketë kundërkandidat. Zgjedhjet për kryetar po mbahen të paktën një muaj më herët sepse kaq ishin kohë sa do të përfundonte mandati i ish kryetarit”, ka thënë Kurti.
Lideri i parë i VV-së ka folur edhe për tri burimet financiare të kësaj partie.
“Lëvizja vazhdon të financohet nga tri burime, fondi prej buxhetit të shtetit, donacionet dhe kontributi i anëtarësisë. Personat e punësuar në VV duhet të jenë të barabartë të gjithë, si në baza gjinore, ashtu edhe si aktivist të rinj apo të vjetër. Do të synohet të mos ketë dallime në mes pozitave”, ka thënë Kurti gjatë fjalimit të tij./Insajderi.com