Një ditë pas sulmeve vdekjeprurëse izraelite në spitalin Nasser në Khan Younis që vranë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë, ushtria izraelite ka publikuar “hetimin e saj fillestar” mbi atë që ka ndodhur.
Sipas mediave të huaja, thuhet se nga hetimi ka rezultuar se sulmi kishte në shënjestër “një kamer të pozicionuar nga Hamasi në zonën e Spitalit Nasser”, që pretendon se po përdorej për të vëzhguar ushtrinë izraelite.
Raporti shton se “disa boshllëqe” do të duhet të shqyrtohen më tej, duke përfshirë llojin e municionit të përdorur, si dhe procesin e autorizimit dhe vendimmarrjes në lidhje me sulmet.
Kujtojmë se sot pati protesta në të gjithë Izraelin, duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në Gaza, shkruan A2 CNN.
Të quajtura “dita e përçarjes” nga forumi familjar i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, protestat bënë thirrje që lufta të përfundonte në mënyrë që pengjet të mund të ktheheshin.
Ndërsa e gjithë kjo po ndodhte, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kryesoi një takim të kabinetit të sigurisë.
Në atë takim thuhet se zyrtarët do të miratojnë planet për fazat e ardhshme të operacionit ushtarak të Izraelit në Qytetin e Gazës, por nuk do të përfshijë diskutime rreth një propozimi për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit rajonalë.