Presidenti Donald Trump përsëriti kërcënimin e tij për të vendosur sanksione të rënda ekonomike ndaj Rusisë nëse ajo refuzon të ndalojë luftën e saj kundër Ukrainës, por nuk caktoi ndonjë afat të ri kohor për zbatimin e tij.
“Nuk do të jetë një luftë botërore, por do të jetë një luftë ekonomike”, tha Trump të martën për veprimet që ai mund të ndërmarrë përfundimisht. “Do të jetë keq për Rusinë.”
Por ai shtoi shpejt se nuk donte të vendoste sanksione ose tarifa të reja që synojnë dëmtimin e ekonomisë ruse, duke shprehur shpresën se ende kishte një rrugë drejt ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Trump gjithashtu sugjeroi përsëri që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbante një pjesë të fajit për konfliktin, duke e quajtur atë “as tamam të pafajshëm” dhe hodhi poshtë sinjalet e fundit të Rusisë se nuk do të nënshkruante një marrëveshje paqeje me Zelenskyn.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thonë. Të gjithë po bëjnë sikur shkëlqejnë. Janë të gjitha budallallëqe” – shtoi Trump.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të rrisë presionin ekonomik mbi Rusinë për shkak të luftës së zgjatur, por ende nuk ka ndërmarrë veprime domethënëse, duke i zgjatur vazhdimisht afatet e tij dyjavore Putinit.
“Ajo që mendoja se do të ishte më e lehta po rezulton të jetë më e vështira”, tha Trump të martën për luftën në Ukrainë. “Por mendoj se do ta përfundoj.”