Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Milani ka bërë të ditur se pas kontrolleve rutinë, nënkryetari i nderit dhe legjenda e klubit kuqezi, Franco Baresi, për shkak të një problemi të shfaqur në mushkëri i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal, i cili ka përfunduar me sukses.
“Ndërhyrja ka shkuar mirë dhe periudha pas operacionit ka qenë pa ndërlikime. Franco është vlerësuar më pas nga onkologu specialist, i cili ka rekomanduar një terapi konsolidimi me bazë imunoterapie”, shkruhet në njoftimin e zyrtar të rossonerëve.
Pas operacionit vetë Baresi ka reaguar duke thënë se i do i duhet pak kohë për t’u rikuperuar.
“Do të më duhet kohë për t’u rikuperuar. Tifozë të dashur, dua t’ju komunikoj se do të më duhet pak kohë për t’u rikuperuar. Faleminderit Milanit dhe të gjithëve ju për mbështetjen dhe përkrahjen. Me dashuri, një përqafim”, janë fjalët e Franco Baresit, i cili mban postin e nënkryetarit të nderit që prej vitit 2020.
Më 16 dhjetor 1999, me rastin e festës për 100-vjetorin e Milanit, ai u shpall nga tifozët si “Milanisti i shekullit”, pra lojtari më përfaqësues në historinë e klubit kuqezi, ndërsa në vitin 2013 u përfshi në Hall of Fame të futbollit italian.

FOTO: Franco Baresi
Kush është Franco Baresi?
I konsideruar si një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, ish-mbrojtësi njihet edhe si një ndër shembujt më domethënës të klubit milanez.
Baresi ia ka kushtuar jetën Milanit, skuadër për të cilën ka luajtur për njëzet sezone, nga viti 1977 deri më 1997, nga të cilat pesëmbëdhjetë si kapiten, duke u bërë lojtari i dytë me më shumë paraqitje në historinë e klubit, pas Paolo Maldinit.
Me Milanin ka fituar gjashtë Scudetto, tre Kupa të Kampioneve, dy Kupa Ndërkontinentale, dy Superkupa Europe dhe katër Superkupa të Italisë.