Trajneri Nevil Dede ka mbetur i befasuar me vendimin e drejtuesve të FC Ferizajt për t’i ndarë rrugët në një moment delikat të sezonit.
Ish-futbollisti i njohur shqiptar e udhëhoqi ekipin kosovar deri në fundjavën që shkoi dhe pas barazimit me Prishtinën e Re drejtuesit e klubit vendosën të ndahen me të.
Menjëherë, sot ata e emëruan trajnerin e ri, Arsim Abazi, shkruan “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, Dede insiston se në Ferizaj bëri punë të mirë dhe se për të ishte i befasishëm vendimi për t’u ndarë.

Ferizaj është afër finales së Kupës së Kosovës pasi e ka fituar lojën e parë gjysmëfinale me Llapin në udhëtim, ndërsa në Superligë gjendet në vendin e tetë, i cili çon në barazh.
“Jam i habitur nga vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit me mua si trajner i FC Ferizaj, sidomos në një moment kur skuadra ishte brenda objektivave të vendosura. Puna ime sebashku me lojtaret ka qenë e ndershme dhe e përkushtuar çdo ditë, me bindjen se po ndërtonim diçka të qëndrueshme për ekipin dhe tifozët”, shkroi Dede.
“Futbolli ka zgjedhjet e tij dhe unë i respektoj, por gjithmonë besoj se koha është ajo që tregon nëse një rrugë është e drejtë apo jo. Sepse, siç thotë një shprehje e vjetër: nëse gjatë rrugës sheh të njëjtën pemë dy herë, ke humbur rrugën!”, përfundon postimi i trajnerit shqiptar. /Gazeta Express