IPKO mes gjashtë finalistëve të NetworkX Awards 2026, krahas liderëve botërorëtë telekomunikacionit

Njohje ndërkombëtare për cilësinë dhe avancimin e shërbimeve me fibër optike.
IPKO Telecommunications ka shënuar një arritje të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të telekomunikacionit, duke u përzgjedhur mes gjashtë finalistëve të Network X Awards 2026, në kategorinë “Outstanding FTTH Service”, e cila vlerëson arritjet dhe inovacionin në shërbimet e bazuara në teknologjinë e fibrës optike.
Në këtë kategori, IPKO u rendit krahas kompanive të njohura ndërkombëtare, përfshirë Huawei, KT, SK Broadband, ZTE Corporation dhe Incognito Software Systems, duke e vendosur Kosovën në mesin e tregjeve të përfaqësuara në një nga platformat e rëndësishme të industrisë globale të telekomunikacionit. Ndërsa çmimi i kësaj kategorie iu nda ZTE Corporation, IPKO mbetet një nga gjashtë finalistët zyrtarë të edicionit 2026, një njohje ndërkombëtare që dëshmon progresin e kompanisë në zhvillimin e shërbimeve fikse.
Ky vlerësim vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të IPKO-s për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, zgjerimin e rrjetit me fibër optike dhe avancimin e shërbimeve fikse (internetit dhe televizionit digjital).
Vetëm gjatë periudhës 2025–2026, IPKO ka investuar mbi 10 milionë euro në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës fikse, duke zgjeruar më tej rrjetin e saj me fibër optike në të gjitha qytetet e Kosovës. Këto investime kanë mundësuar qasje në shërbime moderne të internetit dhe televizionit digjital për mbi 16,000 familje dhe biznese të tjera.
Paralelisht me zgjerimin e infrastrukturës, kompania ka avancuar kapacitetet teknologjike duke mundësuar shpejtësi deri në 300 Mbps, stabilitet më të lartë të rrjetit dhe përvojë më cilësore për përdoruesit e shërbimeve të internetit dhe televizionit digjital.

Lexo edheApple shkurton porositë për iPhone 18 Pro
“Përzgjedhja e IPKO-s mes finalistëve të Network X Awards 2026 është një njohje ndërkombëtare e investimeve tona të vazhdueshme në infrastrukturë, teknologji dhe cilësi të shërbimeve. Për ne, kjo arritje konfirmon drejtimin tonë strategjik dhe përkushtimin për të avancuar më tej shërbimet, për të krijuar vlerë afatgjatë për klientët dhe për të kontribuar në zhvillimin digjital të Kosovës”, theksoi András Páli, Drejtor Ekzekutiv i IPKO Telecommunications.
Network X 2026, i mbajtur më 13–15 tetor në Vjenë, është një nga ngjarjet kryesore ndërkombëtare të industrisë së telekomunikacionit, që bashkon mbi 5,500 profesionistë dhe drejtues të sektorit, përfshirë më shumë se 1,500 përfaqësues të operatorëve.
Ngjarja fokusohet në zhvillimet që po formësojnë të ardhmen e telekomunikacionit, nga rrjetet fikse dhe mobile, teknologjia 5G dhe evoluimi drejt 6G, deri te inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital. Në kuadër të saj, më 14 tetor u mbajt edicioni i pestë i Network X Awards, që vlerëson kompanitë, teknologjitë dhe projektet që sjellin inovacion dhe avancojnë industrinë në nivel global.
Si kompani lider në tregun e telekomunikacionit në Kosovë, IPKO vazhdon të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj inovacionit, investimeve strategjike dhe zhvillimit të infrastrukturës digjitale. Përzgjedhja mes finalistëve të Network X Awards 2026 përforcon pozicionin e IPKO-s si një operator që jo vetëm udhëheq zhvillimin e tregut vendor, por po fiton gjithnjë e më shumë njohje edhe në arenën ndërkombëtare, duke vendosur standarde të larta në cilësinë dhe avancimin e shërbimeve të telekomunikacionit.














