Ilieski padit Ferizajn në FIFA, avokati paralajmëron: Do të raportojmë edhe FFK-në nëse regjistrohen lojtarë të rinj

Qendër mbrojtësi, Antonio Ilieski ka paditur klubin kosovar, FC Ferziaj në FIFA për shkak të borxheve ndaj tij.
Antonio Ilieski pësoi një dëmtim të rëndë, duke këputur ligametin dhe meniskusin në një duel miqësor në Banko të Bullgarisë, pak kohë pasi rinovoi kontratën me klubin e Ferizajt në edicionin e kaluar, konkretisht në verën e vitit 2025.
Pasi rinovoi edhe për një edicion, Ilieski u dëmtua dhe nuk u paraqit më me ekipin kosovar, shkak i lëndimit jashtëzakonisht të rëndë.
Në një prononcim ekskluziv për ‘GazetaBlic Sport’, avokati holanedz i Antonio Ilieskit, Roy Vermeer ka shpjeguar në detaje betejën ligjore mes klientit të tij dhe klubit kosovar.
“Pasi ai pësoi një dëmtim, klubi ndaloi së paguari pagat e tij dhe refuzoi të organizonte operacionin e tij. Pavarësisht shumë njoftimeve për mospagim që i kujtonin klubit detyrimet e tij si punëdhënës, klubi dështoi të korrigjonte shkeljet e kontratës. Për këtë arsye, lojtari e ndërpreu kontratën dhe paraqiti një padi në FIFA. Lojtari pagoi vet për operacionin e tij. Gjithashtu, atij nuk iu pagua asnjë pagë”, tha fillimisht Vermeer.
Më pas ai zbuloi se FIFA e ka denuar Ferizajn për shkak të borxheve ndaj Ilieskit – duke ia bllokuar merkaton.
“FIFA e ka ndaluar klubin të regjistrojë lojtarë të rinj derisa të paguajë Antonion. Teknikisht, klubi mund të nënshkruajë kontrata me lojtarë të rinj, por klubi nuk mund t’i regjistrojë ata lojtarë. Pa regjistrim, lojtarët nuk mund të luajnë ndeshje zyrtare për klubin. Me fjalë të tjera: nuk ka kuptim të nënshkruash lojtarë nëse klubi nuk mund t’i regjistrojë ata”, vazhdoi ai.

Lexo edheNusja nga Kosova i jep fund karrierës, Lara Gut-Behrami tërhiqet nga skijimi: Nuk dua të jetoj me dhimbje!
Klubi i Ferizajt ndërkohë, pavarësisht rënies nga Superliga, është riorganizuar dhe ka bërë marrëveshje me disa lojtarë në këtë merkato, por sipas Vermeer, avokatit të Ilieskit, nëse futbollistët e ardhur në këtë merkato paraqiten në duele zyrtare, ata do të raportojnë FFK dhe Ferizajn në FIFA, për shkelje.

“Nëse klubi i fut lojtarët e rinj në një ndeshje zyrtare, ne do ta raportojmë klubin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës te FIFA dhe FIFA ka gjasa të vendosë sanksione të reja ndaj tyre”, përfundoi Vermeer.
Në një hulumtim tek faqja zyrtare e FIFA-s tek lista e ndalimeve të Regjistrimit shihet edhe klubi i Ferizajt në listë.
Kjo faqe është një burim për komunitetin e futbollit, duke detajuar klubet në mbarë botën që aktualisht përballen me ndalime regjistrimi të vendosura nga FIFA. Kjo listë përfshin klubet që janë të ndaluara përkohësisht të regjistrojnë lojtarë të rinj për shkak të shkeljeve të ndryshme, të tilla si mosmarrëveshje financiare ose shkelje rregullatore.
Aty shkruan se klubi i Ferizajt momentalisht është i ndaluar për tri merkato që të regjistrojë futbollistë.
Në informacionet e siguruara nga ‘FIFA Registration Ban List’, shihet se Ferizajt iu është bllokuar regjistrimi i futbollistëve nga 1 qershori i këtij viti dhe do të zgjasë për tri perioda (merkato). Megjithatë, vlen të theksohet se ky denim largohet nga FIFA, në momentin që klubi shlyen detyrimet financiare nga Ilieskit në këtë rast.














