Ish- këshilltari i Presidentit Ibrahim Rugova dhe ish- Ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, duke e vlerësuar këtë të fundit si zë i pazëvendësueshëm i shqiptarëve në Kongresin e SHBA’ve.
Hyseni, ka shtuar edhe se, Kosova ka mbetur pa një mik dhe përkrahës të veçantë në SHBA, dhe se, të gjithë shqiptarët duhet ta kujtojnë përgjithmonë Engel, si njërin nga miqtë më të mëdhenj që kishim në Amerikë e në botë.
Postimi:
Lajmi se paska ndërruar jetë, Kongresisti amerikan Eliot Engel, një zë i pazëvendësueshëm i shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me dekada, më pikëlloi pafundësisht!
Shqiptarët, në përgjithësi, e Kosova në veçanti paska mbetur pa një mik dhe përkrahës të veçantë në Amerikë.
Le të më lejohet këtu, të them se Kongresistin Engel, e kisha edhe mik personal. Ai më bëri vend në staffin e tij në Kongresin amerikan në vitin 1998. Ajo përvojë që mora në zyren e tij ishte tej mase e çmueshme.
Të gjithë shqiptarët duhet ta kujtojnë përgjithmonë si njërin nga miqët më të mëdhenj që kishim në Amerikë dhe botë!
Ndaj dhimbjen e madhe me Familjen Engel dhe miqët e tij, që duhet të ndjehemi krenarë që patëm fatin ta njohim dhe të kemi miqësinë e tij!
Zoti e bekoftë Familjen Engel!
Kongresist Engel, të pastë shpirti dritë!
Skender Hyseni