Hyseni i prekur nga vdekja e Bajram Isufit: Ishte shembull i atdhedashurisë, punës dhe respektit

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur dhimbje për vdekjen e drejtorit të NPL-së “Tregu”, Bajram Isufi.
Në një postim, Hyseni ka thënë se Isufi ishte punëtor i madh, që përkushtimin për vendin e nisi qysh në rreshtimin e tij në radhët e UÇK-së, transmeton IndeksOnline.
“Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet tona dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të” shkroi Hyseni.
Ky është postimi i plotë i tij:
Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëpunëtorit tonë, profesionistit dhe njeriut të urtë, Bajram Isufi.
Lexo edheGjykata ua cakton nga një muaj paraburgim katër të dyshuarve për armëmbajtje pa leje në Gjilan
Bajrami do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndershmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, duke filluar që nga rreshtimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri te angazhimi i tij i palodhshëm si Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, ashtu edhe në krye të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”. Ai ishte shembull i atdhedashurisë, punës, korrektësisë dhe respektit për çdo qytetar e koleg.
Humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet tona dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.
Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Gjilanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Isufi, miqve, kolegëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën.



