Humbja në Stamboll, Erdogan: Do nxjerr mësime

Në paraqitjen e tij të parë në publik pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e përsëritura për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua të martën se do të nxjerrë mësime dhe do të bëjë disa rregullime bazuar në “mesazhin e dhënë nga populli”.
Duke ju drejtuar ligjvënësve të partisë së tij në Parlament, zoti Erdogan e uroi përsëri kandidatin e opozitës Ekrem Imamoglu i cili fitoi 54.21% të votave në zgjedhjet e së dielës për Kryetarin e Bashkisë së Stambollit.
Erdogan e pati përgëzuar më parë Ekrem Imamoglun me një postim në tweeter.
Rezultatet e zgjedhjeve të së dielës shënuan një humbje të rrallë elektorale për zotin Erdogan dhe partinë me prirje islamike që udhëhiqte prej vitesh Bashkinë e Stambollit, qyteti më i rëndësishëm i Turqisë. Kjo ishte gjithashtu një goditje personale ndaj zotit Erdogan, fuqizimi i të cilit në politikën turke filloi me zgjedhjen e tij si kryetar bashkie, 25 vjet më parë.

Lexo edheLa punën për t’u kujdesur për fëmijët, kjo nënë tregon se si po fiton mbi 500 euro në muaj nga shtëpia
Duke folur për gazetarët, kryeministri turk tha se nuk do të përjashtonte një riorganizim të qeverisë pas disfatës së së dielës.
Zgjedhjet e përsëritura të së dielës në Stamboll u mbajtën, pasi partia në pushtet e kundërshtoi rezultatin, për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe komisioni zgjedhor anuloi rezultatet dhe mandatin e zotit Imamoglu pas 18 ditësh.
Në votimet e së dielës, Ekrem Imamoglu fitoi me një diferencë prej 800 mijë votash, krahasuar me një diferencë prej 13,000 votash që pati në votimin e parë. Fitorja e tij elektrizoi partinë laike të opozitës, që ka kaluar pothuajse dy dekada në opozitë, që kur Rajep Tajip Erdogan forcoi pushtetin e tij.
Opozita gjithashtu fitoi në komunën e kryeqytetit, Ankara, në zgjedhjet lokale të 31 marsit. VOA














