Hoxha nga Drenasi: I thash bacës Shaban me shpirtin tënd bëj ç’të duash, por me fëmijët e gratë…

Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu ka treguar detaje para sulmit të forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Musliu, në RTV Dukagjini ka thënë se pas sulmit që forcat serbe i bënë familjes Jashari me 22 janar të po atij viti, si imam që ishte në Drenas kishte vendosur bashkë me disa persona të tjerë të vizitonte familjen Jashari.
“Ndodhi sulmi i parë ndaj tyre dhe shkuam për ta vizituar. Më kujtohet më tha baci Shaban: ‘ke ardhur hoxhë i ri në Drenas, po flasin njerëzit fjalë të mira për ty’. I thashë mbase po flasin njerëzit fjalë të mira kam edhe unë një kërkesë për ty. Ju jeni përgatit na po e shohim çfarë po doni dhe në një farë forme i keni shpallur luftë Serbisë pasi nuk po doni të dorëzoheni. Ti me shpirtin tënd mund të bësh çfarë të duash por me këta fëmijë e këto gra…”.
“… Më tha: ‘Hoxhë, kështu jemi përgatit dhe kështu po duan, inshallah Zoti na ndihmon’. Ajo familje është përgatitur për këtë situatë në bazë të sjelljes dhe historisë së tyre”, tha ai.

Lexo edheEmblema e UÇK-së me 2100 fishekë që do t’i dhurohet bashkëluftëtarit të Adem Jasharit
Hoxha nga Drenasi tregon se pas kësaj vizite ndodhen edhe ngjarjet në Likoshan dhe Çirez kur u vranë 24 shqiptarë.
“Pas varrimit në Likoshan dhe Çirez ku ishin gati gjithë Kosova erdh edhe 5 marsi. Më kujtohet kur jam zgjuar të fali sabahun, kur po dëgjohen të shtëna armësh. E mora djalin e axhës Murat Musliun pasi ai e njihte më mirë se unë situatën sepse ishte zyrtar i KMDLNJ. Kur dolëm në kodrën e Rezallës ai më tha se po sulmohet familja e Shaban Jasharit”.
Musliu thotë se pasi e vëzhguam situatën një kohë të gjatë, u përpoqëm të marrim në telefon Fehmi Aganin apo Pajazit Nushin por nuk funksiononte linja telefonike.
“E kemi pasur një telefon ajror, dhe ramë në kontakt me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd. Ai na tha ne kemi disa informata por jo të detajuara. Pastaj ne i sqaruam situatën”, tha ndër të tjera Osman Musliu.














