Hoti kërkon të mos dekretohet Bashkim Nurboja në BQK, u bën thirrje deputetëve për nënshkrime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka përgatitur një kërkesë drejtuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për të mos e dekretuar Bashkim Nurbojan si anëtar të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se kërkesa bazohet në argumente kushtetuese dhe ligjore, të cilat, sipas tij, synojnë mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit të BQK-së.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta nënshkruajnë kërkesën deri nesër në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i përcillet presidentes.
Hoti ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të shihet si përplasje partiake, por si çështje që lidhet me pavarësinë e Bankës Qendrore dhe respektimin e Kushtetutës së Kosovës.
“Për shkak të urgjencës së çështjes, kam përgatitur kërkesën për Presidenten e Republikës së Kosovës që të mos dekretohet z. Bashkim Nurboja si anëtar i Bordit të BQK-së”, ka shkruar Hoti.

Lexo edheUshtarët në Kosovë mund të zëvendësohen, po Amerika?
“Kjo nuk është çështje partie. Është çështje e pavarësisë së BQK-së dhe respektimit të Kushtetutës”, ka theksuar ai. /Lajmi.net/












