Hoti kërkon “pajtim të madh” në LDK: Konventë e re për ta përcaktuar ekipin që synon fitoren

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar organizimin e një konvente të madhe të partisë, përmes së cilës, sipas tij, LDK-ja duhet të qartësojë rrugën politike dhe të rikthejë besimin brenda strukturave.
Hoti ka thënë se në këtë proces duhet të përfshihen të gjitha strukturat e partisë, duke e cilësuar konventën si një mundësi për një fillim të ri, shkruan lajmi.net.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një konventë të madhe, për një pajtim të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, konventa nuk duhet të jetë vetëm një proces formal, por një moment bashkimi që do të përcaktonte edhe ekipin e ri të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
“Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Hoti ka vënë theks të veçantë te rikthimi i besimit brenda partisë, duke e konsideruar atë bazë për unitet dhe funksionim të përbashkët.

Lexo edheVjedhje në xhami e objekte të tjera, Policia arreston dy persona
“Mbi të gjitha, konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Ai ka bërë të ditur se do të angazhohet për këtë proces, duke argumentuar se vetëm një LDK e bashkuar mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe të synojë fitore në zgjedhjet e ardhshme. /Lajmi.net/











