Haziri për kandidaturën e Sejdiut: Ne e kemi një dallim, një rast, po LDK-ja e ka një vlerë të demokracisë, ne bashkohemi në dallimet tona

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për qëndrimin e deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, në rast se për të arrihet një marrëveshje me partitë e tjera politike, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës.
Haziri ka theksuar se çështja, sipas tij, nuk lidhet drejtpërdrejt me emrin e Sejdiut, por me sigurimin e një konsensusi politik që do të mundësonte unitetin në procesin e votimit, transmeton lajmi.net.
“Praktikisht, nuk ka të bëjë me emrin e përveçëm, nuk ka të bëjë kurrgjë me Bekimin, si i propozuar dhe si kandidat me kredibilitet. Ka të bëjë me mosarritjen e një konsensusi i cili ia siguron unitetin e votimit, në mënyrë që ai me siguru unitetin e popullit në të ardhmen”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse LDK-ja do ta mbështeste Sejdiun edhe në rast se për kandidaturën e tij do të arrihej marrëveshje me partitë e tjera, Haziri tha se nuk duhet të interpretohet qëndrimi i deputetëve të LDK-së si një qëndrim i ndarë i individëve.
“Mos na ndani, ne jemi 18. Ne e kemi një dallim, një rast, po LDK-ja e ka një vlerë të demokracisë, ne bashkohemi në dallimet tona”, u shpreh ai.

Lexo edhePërfundon takimi Kurti-Abdixhiku, kryetari i LDK-së s’flet për media
Haziri shtoi se dallimet e shfaqura në një rast të caktuar nuk përbëjnë domosdoshmërisht qëndrim të ndarë brenda grupit parlamentar të LDK-së.
“Kështu që ajo është vetëm një episod që ka ndodhur në një rast kur janë dalluar…”, tha Haziri./lajmi.net/












