Haradinaj: Qeveria do të ofrojë mbështetje për Postën e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e sindikatës së Postës së Kosovës, kryesuar nga Etrit Hoti, me të cilët ka biseduar për gjetjen e një zgjidhje afatgjate për këtë ndërmarrje publike.
Gjatë takimit kryeministri Haradinaj është njoftuar nga sindikalistët për sfidat me të cilat është duke u përballur kjo ndërmarrje, në të njëjtën kohë sindikalistët kanë paraqitur kërkesat për të cilat sipas tyre duhet gjetur zgjidhje e përbashkët.
Kryeministri Haradinaj tha me këtë rast se Qeveria e Kosovës është e gatshme për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje duke marrë parasysh se në këtë ndërmarrje publike marrin paga një numër i madh i punëtorëve.
“Jemi duke ndjekur nga afër gjendjen në Postën e Kosovës e cila deri vonë ka qenë ndërmarrje shumë e suksesshme, por që tani është duke u përballuar me një gjendje jo të mirë financiare, andaj në bazë të kompetencave dhe mundësive do të gjejmë zgjidhje të kënaqshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Lexo edheVIDEO/ Kamera kap momentin shokues, trupi i një të vdekuri përfundon në pishinë
Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e shërbimeve universale postare dhe për mundësinë që institucionet e Kosovës shërbimet e tyre t’i marrin nga Posta e Kosovës, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se do të shqyrtohen mundësitë që Qeveria si aksionar kryesor, të gjejë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, duke i marrë përsipër obligimet e deritashme, sidomos për shërbimet universale postare.
Nga ana e tyre, sindikalistët falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke u shprehur se do të bashkëpunojnë në gjetjen e një zgjidhje për këtë ndërmarrje dhe për punëtorët e saj.














