Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se për herë të parë në Kosovën demokratike ka ndodhur që Kuvendi të mos mblidhet për t’i diskutuar ligjet.
Kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak që Lëvizja Vetëvendosje mori rezultat të mirë nga zgjedhjet, por që ishte i pamjaftueshëm “për një formacion të pazoti siç është LVV-ja”.
Hamiti ka thënë se shkuan mbi 200 ditë dhe vendi nuk ka Kuvend të konstituuar.
“Rregullorja e Kuvendit është e qartë. Kuvendi konstituuohet me kryesi të plotë, por që nuk ka ndodhur. Për nënkryetarë nuk do të duhej të ndahej vota, do të duhej të votoheshin në bllok. Nuk është dashur të votoheshin ndaras. Është bërë gabim dhe tash i bartim pasojat”, ka thënë ai.
Ka shtuar se në këto katër vjetet e fundit Kosova ka marrë tatëpjetën.
Hamiti ka vlerësuar se për këto vite qeverisje, VV-ja i ka shkaktuar dëme kolosale Kosovës.
Ai ka thënë se me Marrëveshjen e Ohrit, Kurti është pajtuar për vetmenaxhim të serbëve të Kosovës e cila sipas tij i bie autonomi politike territoriale të Kosovës.
“Këta që thoshin e kundërshtojmë Zajednicën, kanë pranuar Zajednicë plus. Është marrëveshja më e keqe në dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.
Hamiti ka thënë se LDK-ja ka dallime të mëdha vlerore në raport me Vetëvendosjen.
Ai ka thënë se Kosova është në bllokadë totale.
Sipas tij, në krye të Qeverisë është një deputet.
“Kemi një qeveri në detyrë me deputetë që drejtojnë atë dhe dikasteret qeveritare”, ka thënë ai.
Hamiti ka thënë se VV-ja është “formacioni që e ka shkelur Kushtetutën më shumë se gjitha qeverisjet tjera”.
Hamiti derisa ka folur për mosvotimin e Donika Gërvallës për kryekuvendare, e ka quajtur atë dezertore.
“Dezertorja është habit që se kanë votuar ata që shtëpinë e atyre e ka dezertuar”, ka thënë ai duke shtuar se ajo e ka tradhtuar LDK-në. /Koha