Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka kritikuar veprimin e ministres në detyrë Rozeta Hajdari, e cila dje nuk është paraqitur para gjykatës.
Ai ka bërë me dije se ministrja në fjalë dhe ministrat tjerë e kanë uzurpuar pushtetin.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti është duke e keqpërdorur buxhetin shtetëror për qëllime elektorale.
“Lideri i VV-së Albin Kurti me të vetët, duke përfshirë Ministreshën me aktakuzë që as paraqitet në gjykatë, po qëndrojnë kundërligjshëm në zyra të Qeverisë së Kosovës prej pranvere. E kanë uzurpuar pushtetin, po e keqpërdorin buxhetin për qëllime elektorale në vigjilie të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Me politikat e tyre të mbrapshta, shtetin e Kosovës e vunë nën sanksione të BE-së para dy vitesh e gjysmë. Po e konsumojnë jo vetëm pushtetin, por edhe shtetin. Po rrëmojnë në themelet e tij, duke e shkelur pamëshirshëm Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Zgjidhja që e shpëton Kosovën është që kjo klikë pushtetore antidemokratike të refuzohet qytetarisht në kutitë e votimit më 28 dhjetor 2025. Qytetarët duhet ta sanksionojnë VV-në, që e katandisi Kosovën tonë kaq keq!”, ka shkruar ai.