Goditje e re për gjuhën shqipe! Edhe tabela e re në Tabanoc vetëm në maqedonisht

Vetëm një ditë pasi në vendkalimin kufitar Tabanoc u vendos një tabelë e re pa mbishkrime në gjuhën shqipe, por në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, sot është instaluar edhe një tabelë tjetër shtetërore, sërish pa respektuar dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, shkruan gazeta KOHA.
Tabela e re, e vendosur nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”, informon vetëm në maqedonisht drejtuesit e automjeteve për regjimin e qarkullimit të automjeteve të rënda gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht, në ditët me temperatura ekstreme. Në të janë paraqitur kufizimet sipas ditëve të javës dhe orareve, si dhe ndalimi i qarkullimit për automjetet me peshë mbi 15 tonë. Të gjitha informacionet janë të shkruara vetëm në maqedonisht dhe anglisht, ndërsa gjuha shqipe mungon plotësisht. Vendosja e kësaj tabele ka nxitur reagime, pasi vjen menjëherë pas tabelës së re në vendkalimin kufitar Tabanoc, e cila gjithashtu u vendos pa mbishkrime në gjuhën shqipe.
Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, çështja është e rregulluar qartë. Neni 16, paragrafi 2, përcakton se në vendkalimet kufitare dhe aeroportet që ndodhen në rajonet ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, emërtimet, mbishkrimet dhe udhërrëfyesit duhet të vendosen edhe në atë gjuhë. I qartë është edhe neni 23, paragrafi 5, i cili përcakton se, nëse dispozitat e këtij ligji nuk harmonizohen me dispozitat gjuhësore të një ligji tjetër, organet shtetërore janë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Lexo edheAbdixhiku: Jemi shumë larg marrëveshjes me LVV-në
Vendosja e tabelave të reja pa gjuhën shqipe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe vazhdim të praktikës së mosrespektimit të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në institucionet shtetërore. (koha.mk)














