Gjermania vendi më i pëlqyer në botë, lë pas SHBA, Kinën dhe Rusinë

Gjermania është vendi më i admiruar në botë për të tretin vit radhazi duke e lënë SHBA në një betejë të ngushtë për vendin e dytë, me Kinën dhe Rusinë.
Sondazhi i përvitshëm i kryer nga Gallup, hedh kështu më shumë dyshime mbi deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, të premten, se SHBA është e pozicionuar në mënyrë perfekte për të udhëhequr botën e lirë në një rivalitet të ri ideologjik me partinë komuniste kineze.
SHBA ka një shkallë globale mbështetjeje prej 33 për qindësh për 2019, vetëm një përqind para kinës dhe 3 përqind para Rusisë. Gjermania ndërkohë lë pas të treja këto vende me jo pak diferencë, me 44 për qind të mbështetjes.

Lexo edheShenjat që ju tregojnë nëse e keni kaluar Covid-19
Sondazhi ka përfshirë mijëra të rritur në 135 vende të botës dhe është kryer në 2019, para se koronavirusi të godiste. Pozicioni global i Uashingtonit, mund të dobësohet akoma më tej tani në kuadër të keqmenaxhimit të pandemisë që e ka bërë SHBA një nga vendet më të goditura nga sëmundja.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në vazhdimësi ka pretenduar se ai e ka bërë SHBA të respektuar sërish në botë, por shifrat e sondazhit sugjerojnë të kundërtën. SHBA ka qenë vendi më i admiruar në botë, çdo vit të administratës Obama, me përjashtim të njërit, kur u rendit i dyte, me pak diferencë me Gjermaninë, në 2011.














