Gjendet pa shenja jete një vajzë në Leshan të Suharekës, Policia nis hetimet
Një vajzë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në fshatin Leshan të Suharekës.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka dhënë detaje lidhur me rastin.
Sipas tij, Policia është njoftuar për rastin mëngjesin e 25 nëntorit, rreth orës 07:00, nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Suharekë.
“Stacioni Policor në Suharekë ka pranuar një informatë nga mjeku kujdestar i QKMF-së në Suharekë, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes në fshatin Leshan, se një person i gjinisë femërore është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj”, ka bërë të ditur Bytyqi.
Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit rajonalë dhe ekspertët mjekoligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lexo edhe“Gratë nuk janë robëresha të kërkujt” – Qytetari kërkon mbrojtje dhe drejtësi për gratë
Ndërkaq, me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa është iniciuar rasti ‘Hetim i vdekjes’”, ka deklaruar ai.
Bytyqi ka shtuar se Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. /Lajmi.net/






