6 milionë ishin dhënë më 2022| 95 punëtorë të Telekomit dy vitet e ardhshme marrin pagë pa u paraqitur në punë – kaq do t’i kushtojë ndërmarrjes
Ditë më parë Ndërmarrja Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” ka njoftuar se janë miratuar 95 aplikime për largime vullnetare nga ky institucion qendror.
Telekomi ndër të tjerash bëri të ditur se kjo politikë që ofron mundësi për largim ka pasur efekt deri më tani. Sipas këtij institucioni, jo çdo aplikues ka të drejtë largimi nga Telekomi i Kosovës.
“Duke u mbështetur në këtë përvojë, në vitin 2026 ndërmarrja ka zbatuar programin e radhës, të miratuar paraprakisht nga Bordi i Drejtorëve. Në kuadër të këtij programi janë aprovuar 95 aplikime. Synimi mbetet reduktimi afatgjatë i shpenzimeve operative, duke ruajtur funksionalitetin e ndërmarrjes dhe cilësinë e shërbimeve”, thuhej ndër të tjerash nga Telekomi.
Por sa është numri i punëtorëve të cilat janë larguar nga Telekomi përgjatë këtij viti në kuadër të aplikimeve për largime vullnetare?
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, Telekomi ka njoftuar se janë gjithsej 95 punëtorë të cilët nënshkruan marrëveshjen në kuadër të pakos për ndërprerje vullnetare të marrëdhënies së punës.
Kostoja totale që Telekomi duhet të paguajë për këta 95 punëtorë, është rreth 2 milionë euro.
“Kostoja totale e kësaj pakoje për 95 punëtorët është rreth 2 milionë euro. Në këtë shumë përfshihen: paga neto, kontributet pensionale dhe tatimi në pagë”,thuhet në përgjigjen Telekomit.
E në këtë kuadro të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë të punësuarit në Telekom të Kosovës.
Por arsyet të cilat më pas janë paraqitur janë individuale dhe personale, pro që jo të gjitha janë pranuar. Telekomi më pas ka rishikuar këto lista dhe ka vlerësuar se kush mund të zëvendësohet dhe riorganizohet, pa u cenuar operimi i kompanisë.
“Arsyet e aplikimit të punonjësve kanë qenë individuale dhe personale, ndërkaq të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë të punësuarit në Telekom. Aprovimi i pakos nga ana e Telekomit të Kosovës është bërë vetëm për aplikantët, për të cilët është vlerësuar se mund të zëvendësohen duke riorganizuar detyrat e tyre te stafi i mbetur dhe pa u cenuar operimi i kompanisë.
Ndryshe aktualisht në kuadër të Telekomit të Kosovës janë gjithsej 1 mijë e 514 punëtorë aktiv.
Sipas të dhënave nga Telekomi i Kosovës të hyrat e kompanisë përgjatë vitit 2026, në periudhën janar -tetor janë rreth 63 milionë euro.

Lexo edheKush janë shqiptarët që tentuan të grabisin shtëpinë e Princ William dhe Princeshës Kate?
Por pakot për ndërprerje të marrëdhënies së punës në Telekom nuk u bën tani për herë të parë. Në fakt pakoja e parë ishte bërë me ndërrimin e pushtetit si fillim, më saktësisht në vitin 2022.
Asokohe Telekomi kishte paraqitur një pako, nga e cila më pas u larguan 302 punëtorë, me kosto totale 6 milionë euro. Kurse pakoja e dytë në vitin 2026, me rreth 2 milionë euro.
“Deri tani Telekomi ka ofruar dy pako për ndërprerje vullnetare të marrëdhënies së punës: Në vitin 2022, përmes kësaj pakoje janë larguar 302 punëtorë, me kosto totale rreth 6 milionë euro.Në vitin 2026, janë larguar 95 punëtorë, me kosto totale rreth 2 milionë euro”,thuhet në përgjigjen e Telekomit.
Kurse sipas Telekomit, riorganizimi i burimeve njerëzore përbën vetëm një pjesë të masave për përmirësimin e performancës së Telekomit të Kosovës.
“Reduktimi i shpenzimeve operative dhe menaxhimi më efikas i burimeve i mundësojnë ndërmarrjes të orientojë më shumë kapacitete financiare drejt investimeve në teknologji, zhvillimit të rrjetit dhe përmirësimit të shërbimeve për konsumatorët. Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe informimit të saktë të publikut. Çdo vendim menaxherial duhet të vlerësohet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit përkatës dhe rezultateve që prodhon për ndërmarrjen, e jo përmes interpretimeve të shkëputura nga konteksti ekonomik dhe organizativ”.
Ditë më parë u raportua gjithashtu se në listë prej 95 punëtorëve që aplikuan së fundi është edhe vëllai i kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu si dhe vëllai i kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana.
Sipas dokumentit të publikuar nga paparaci, për të është paraparë një pagesë prej 43 mijë e 680 eurosh bruto për 24 muajt pas përfundimit të marrëdhënies së punës.
Burim Hana kishte mbajtur pozitën e menaxherit për Analizë, Strategji të Marketingut dhe Planifikim, me gradë 13 dhe pagë mujore prej 1 mijë e 820 eurosh bruto. Kjo shumë është e barabartë me pagën e tij për dy vitet e ardhshme, ndonëse ai nuk do të jetë më pjesë e stafit të Telekomit.
Një tjetër emër që figuron në listë është Kastriot Haxhiu, vëllai i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ai kishte punuar si teknik në Rrjetin e Qasjes, në kuadër të Drejtorisë Teknike dhe Teknologjisë Informative. Edhe për të është miratuar përfitimi i pagave për 24 muajt pas largimit nga puna, pa pasur nevojë të paraqitet më në vendin e punës./Lajmi.net/





